Lajme

Tregjet qetësohen pas zmbrapsjes së Trump mbi Groenlandën

Tregjet globale u ngritën lehtë të enjten, dollari qëndroi në vend dhe çmimi i arit u ul pas deklaratës së Presidentit amerikan Donald Trump, i cili hodhi poshtë idenë e marrjes me forcë të Groenlandës dhe hoqi kërcënimet e tarifave ndaj tetë vendeve europiane.

Reagimi pozitiv ndaj ndryshimit të qëndrimit të Trumpit çoi në rritje mbi 1% të indeksit pan-europian STOXX,  gjatë hapjes së tregjeve, pas një dite të mërkurë që kishte shënuar performancën më të mirë të Wall Street-it, në dy muaj.

“Unë nuk kam nevojë të përdor forcën, nuk dua ta përdor dhe nuk do ta përdor,” tha Trump në Davos, duke iu referuar një sulmi për të siguruar Groenlandën. Më pas, në platformën e tij Truth Social, ai shtoi se SHBA dhe NATO kishin një kuadër për një marrëveshje për Groenlandën dhe se nuk do të vendosë nga 1 shkurt tarifat 10% mbi importet nga tetë aleatët europianë.

Dollari pati një rritje fillestare pas këtyre deklaratave, por po binte sërish në Europë. Euroja u afrua sërish pranë 1.17 dollarëve, krona daneze qëndroi e qëndrueshme ndaj dollarit dhe euros, ndërsa ari u largua nga rekordi i tij prej 4.829 dollarë për onz.

Michael Metcalfe i State Street komentoi: “Mësimi i vitit të kaluar ishte se tregjet janë të afta të kapërcejnë këtë lloj paqëndrueshmërie të nxitur nga lajmet gjeopolitike,” duke shtuar se normat e interesit dhe fundamentet ekonomike amerikane duhet të kthehen në qendër të vëmendjes. Indeksi i frikës VIX ra ndjeshëm, ndërsa Bonot amerikane 10-vjeçare, të cilat ishin shitur duke rritur rendimentin në nivelin më të lartë që nga gushti, panë një kthim në kërkesë.

Rendimentet 10-vjeçare të Gjermanisë filluan pa ndryshime në 2.87%, ndërsa rendimentet 30-vjeçare të Japonisë, që kishin rritur shqetësime për financat e vendit dhe zgjedhjet e shpejta muajin tjetër, u ulën në 3.67%. Bonot ukrainase gjithashtu u rikuperuan fuqishëm pas deklaratave të dërguarit amerikan Steve Witkoff se kishte “shumë përparim” në bisedimet për paqen përpara takimit midis Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Davos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë