Mazhoranca miratoi këtë të enjte në Kuvend me 74 vota pro ligjin për studentët e Mjekësisë. Ndërsa opozita nuk ishte prezente në sallë, nuk pati asnjë votë kundër, por vetëm një abstenim për ndryshimit në këtë ligj.
Deputeti i PD-së Gëzim Ademaj abstenoi.
Sipas ndryshimeve që u miratuan sot në Kuvend studentët e mjekësisë mund të lidhin një kontrate që i detyron që të punojnë në Shqipëri të paktën tre vite pas diplomimit, ose në të kundërt duhet të paguajnë të plotë tarifën e studimit.
Me ligjin e vjetër që u rrëzua pjesërisht nga Gjykata Kushtetuese vitet e punës ishin deri në 5 vjet.
Argumenti i Kushtetueses se afati 5 vjetor është jo-proporcional, ka bërë që qeveria të propozojë që ky afat të ulet në 3 vite për ata që fillojnë rishtas, pra të vitit të parë, ndërsa për studentët e vitit të dytë e deri në atë të katërt në 2 vite dhe për studentët e vitit të pestë e të gjashtë në vetëm një 1.
Studentët që firmosin kontratën duhet të ofrojnë shërbim të detyrueshëm për këto vite dhe diploma u jepet pasi mbarojnë këto vite punësimi të detyrueshëm.
Parashikohet dhe një ndryshim sa i takon punësimit. Mjekët që licensohen kanë prioritet të punësohen në institucionet shëndetësore publike brenda harkut 3 mujor. Nëse kjo nuk ndodh në bazë të nevojave që ka sistemi këta mjekë mund të paguhen me 80 % të pagës së mjekut të thjeshtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.