Gazeta Si – Lojtari i dalë nga fidanishtja e Interit, Federiko Dimarko, do të rinovojë kontratën me zikatltrit me një rritje ekonomike. Vitin e kaluar u shpall mbrojtësi i majtë më i mirë në Champions. Bisedimet kanë nisur edhe me Mkhitarian dhe Dumfris.
Dimarko fluturon në krahun e majtë dhe drejt rinovimit. Interi kërkon të shmangë çdo surprizë të pakëndshme dhe ka vendosur të rritë pagën e tij. Lojtari aktualisht fiton pak më shumë se 2 milionë euro, plus bonuset, do të shkojë në të paktën 4 milionë plus bonuset. Shifra do të rritet një vit më pas.

Ka diferencë me 6 milionë eurot që marrin aktualisht Lautaro, Turam dhe Çalhanoglu, si dhe 5 milionë eurot e Bastonit dhe Pavard, por Dimarko do të ngjitë disa shkallë në klasifikimin e më të paguarve. Mbrojtësi, pas huazimeve te Parma dhe Empoli, u bë protagonist tek Interi me një rritje profesionale të madhe, duke tërhequr vënmendjen e disa klubeve europiane.
Interi nuk do që ta humbasë dhe pasi ka takuar më parë përfaqësuesit e lojtarit, është gati për firmën e re, që do të vijë maksimumi deri në fund të 2023-shit.
Përveç Lautaro Martinez, me të cilin kanë nisur bisedimet për akordin e ri, drejtuesit e klubit zikaltër kanë në plan të bëjnë të njëjtën gjë edhe me kontratat e Dumfris, që skadon në 2025-ën, dhe atë të Mkhitarian, që skadon qershorin e ardhshëm dhe mund të largohet me parametra zero.
Me holandezin që fiton 2.5 milionë euro neto, objektivi është të zgjatet kontrata deri në 2027-ën, edhe në këtë rast me 4 milionë euro neto, plus bonuset. Armeni përfiton 3.5 milionë dhe me të synohet rinovimi deri në 2024-ën, me opsionin deri në 2025-ën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




