Mbrëmjen e së shtunës u mbyllën ndeshjet e dyta të fazës në grupe dhe megjithëse kjo fazë ka edhe aktin final për t’u luajtur për të zbardhur të gjitha misteret se kush do të vazhdojë më tej dhe kush do të marrë valixhet ka një bilanc të deritanishëm.
Janë plot tre rekorde të thyera deri më tani. Dy janë personale dhe një është i Portugalisë si ekip. Rekordin e parë e theu Cristiano Ronaldo, që me dy golat e shënuar në ndeshjen hapëse të Portugalisë ndaj Hungarisë në Pushkash Arena theu rekordin e golashënuesve të kompeticionit, që mbaj deri më tani nga Mishel Platini.
CR7 shënoi fillimisht me 11 metërsh në ndeshjen ndaj Hungarisë dhe më pas vulosi fitoren 3-0 në minutat shtesë të takimit, ndërsa me golin e shënuar ndaj Gjermanisë siguroi që ta mbajë këtë rekord për vete për një kohë të gjatë. Aktualisht, Ronaldo numëron 12 gola në finalet e europianit.
Fatkeqësisht për të, rekordi i dytë është negativ u vendos nga Portugalia me dy autogolat e shënuar në ndeshjen ndaj Gjermanisë. Deri më tani janë shënuar në këto finale plot 5 autogola, duke e bërë “autogolin” shënuesin më të mirë, ndjekur nga Ronaldo dhe Patrick Schick me nga tre gola.
Sa për krahasim, në finalet e 2016-s, ku mori pjesë edhe Shqipëria janë shënuar tre autogola në të gjithë kompeticionin.
Rekordi i fundit u vendos nga Kasper Kozlovski, që u bë lojtari më i ri i të gjitha kohërave që luan në finalet e një europiani. Polaku 17-vjeçar u fut si zëvendësues në ndeshjen ndaj Spanjës, por kjo mjaftoi që të thyente rekordin e Jude Bellingham të Anglisë, që është 109 ditë më i madh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.