Politike

Tre ‘plangprishësit’ e buxhetit të Ramës  

Ai nuk ishte në listën e kandidatëve fitues për Tiranën. Por mori mbi 13 mijë vota dhe prej një viti i qëndron ballas Edi Ramës. Ky në karrigen e kryeministrit, ai rreshtuar më të tjerë syresh nga salla e Kuvendit.   

Tjetri nuk mundi të mbledhë aq. Qëndroi në stolin rezervë, deri sa me largimin e Alqi Bllakos, iu kthye asaj që dinte të bënte më mirë, jetës në Kuvend.

I treti iku i pezmatuar nga detyra e zv-kryeministrit duke i “mallkuar” karrigen atij që la pas.

Tre të “mënjanuarit” e kryeministrit Edi Rama nuk janë as më shumë e as më pak se vete tre senatorët e mbetur në PS. Ata që edhe sot po bëjnë diferencën në korin e “yes man-ve” në parti.

Diskutimi në parim i projektbuxhetit për vitin 2023 mori rëndësinë mediatike për disa deputetë që hakshe nga inati, qejfmbetjet por edhe qëllimi i mirë u morën në konsideratë.

I pari Fatmir Xhafaj i cili kërkoi që shpenzimet e programuara të ishin më të ulëta  duke kujtuar shprehjen e vjetër ‘shtrij këmbët sa ke jorganin’, e duke përcjellë një lloj gërdie për gjuhën parlamentare, bash atë 24 orësh, kur veshët e tij dhe shumëkujt që dëgjuan ndopak nga Kuvendi i 9 nëntorit u bombarduan me fjalorin paçamur. Një mesazh i tij drejtuar opozitës por edhe Ramës që nuk frenoi gjuhën në debatet individuale me do deputete të opozitës.

Për të kaluar tek Pandeli Majko i cili u fokusua më së shumti tek “brazda” e tij, ajo e Kukësit që së fundmi drejton punët në emër të PS.

Majko u ankua për disbalancim fondesh duke krahasuar atë të Tiranës, Vlorës por edhe të Lezhës për të thënë se fondi i investimeve për Kukësin linte për të dëshiruar.

Më pas Erion Braçe edhe ai i shqetësuar prej kohësh për shpërndarjen të ardhurave dhe mbi të gjitha mungesën e fondeve për bujqësinë.

Të tjerët pastaj folën për arritje dhe punë të mira, duke bërë hije, apo siç do thoshte një deputet i opozitës në sallë, duke qenë thjesht “numra”, aq sa edhe duhej për të kaluar në parim projektbuxhetin. /  N.P  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë