Politike

Tre nismat ‘Spaho’, ‘Tabaku’ dhe PS / Si Kuvendi po zgjedh rrugën ‘alla shqiptare’ edhe për komisionet hetimore  

Partia Socialiste lajmëroi zyrtarisht të enjten se ka paraqitur në Kuvend nismën e saj për ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore.

Drafti është futur menjëherë në procedura parlamentare.

Përpos debatit për përmbajtjen e saj, një tjetër pike diskutimi është edhe mënyra se si PS-ja synon ta kanalizojë këtë draft që në thelb lidhet me gjithë problematiken që po kalon Kuvendi për më shumë se dy muaj.  

Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka monitoruar në vijueshmëri parlamentin dhe nga të dhënat rezulton se Kuvendi ka refuzuar për së paku 18 muaj të përfshijë në agjendën e vet dy nisma ligjore të njëjta lidhur me komisionet hetimore që kanë objekt të njëjtë me nismën e re të mazhorancës.

Dokumenti i tre drafteve për nryshime në ligjin për komisionet hetimore

Nisma e parë daton në datën 2 mars 2022 (nisma Spaho),  nisma e dytë në 9 dhjetor 2022 (nisma Tabaku).

Dy nismat e opozitës u injoruan, ndërkohë që nisma e mazhorancës është lajmëruar se do të jetë pjesë e agjendës parlamentare. Tabela e publikuar nga ISP  paraqet tre nismat, dy nga të cilat ende pa vendimmarrje dhe as shqyrtim parlamentar, si dhe vendimin e fundit të Kuvendit më 2016, kur rrëzoi një nismë për ndryshime në kuadrin ligjor të komisioneve hetimore parlamentare.

“Në një vend demokratik situata të tilla do të evitoheshin, por në vendet me demokraci hibride ekzistojnë akte politike dhe institucionale që do të ofronin së paku një paketë standardesh referuese, si p.sh;

Kuvendi të inicionte një debat në Komisionin e Ligjeve dhe brenda një periudhe 30 ditore të merrte opinione të ndryshme lidhur me nevojat e reformimit të legjislacionit mbi komisionet hetimore;

Kuvendi të adresonte shqetësimin në Gjykatën Kushtetuese ose në Komisionin e Venecias duke kërkuar zgjidhje të mosmarrëveshjeve ose në rastin e dytë, interpretim të dispozitave dhe standardeve rreth komisioneve;

Kuvendi mund të përfshinte në rendin e ditës dy nismat e arkivuara të deputetëve dhe të shmangte ndërkohë rrëzimin në bllok të shtatë nismave të opozitës për komisione parlamentare, duke nxitur reformimin e ligjit mbi komisionet dhe nevojën për dialog institucional midis dy palëve politike”, thuhet në njoftimin e ISP.

ISP verën se, Kuvendi nuk bëri as njërën, as tjetrën, por zgjodhi rrugën “shqiptare” të përballjes me problemet, “nisma e njëanshme politike, nismë e paplotë dhe jo efektive, rendje pas procedurave jo thelbit, rrëzim në bllok të kërkesave për komisione të opozitës, si dhe sfidë ndaj sugjerimeve ndërkombëtare dhe atyre vendore”.

“Për ta kuptuar sa formale është nisma mjafton të lexohet relacioni, i cili përmban jo pak, por 150 gabime drejtshkrimore bazuar në standardin e gjuhës shqipe! Po ashtu, pavarësisht se është iniciuar nga një deputete juriste ose staf i saj, relacioni edhe referencat kushtetuese nuk i ka të plota, si dhe përmban nocione e norma minimale juridike, duke u fokusuar në nevojat politike dhe interpretimet politike të ditës, - qasje jo serioze për një parlament që pret brenda pak ditësh të hapet mundësia për negociata konkrete anëtarësimi në BE”, thuhet në njoftimin e ISP


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë