Gazeta Si - Pas kthimit mbrapsht të 3 ngarkesave me mandarina nga Kroacia, pas sinjalizimit të sistemit të sigurisë ushqimore të BE, si të dyshuara me nivele të larta të pesticideve, Ministria e Bujqësisë thotë se bëhet fjalë për mandarina të llojit "clementine", të eksportuara nga subjektet grumbulluese ushqimore me vendndodhe në Berat dhe Fier.
Në një njoftim të Ministrisë së Bujqësisë, dy prej ngarkesave kanë mbërritur në vendin e origjinës, ndërkohë tjetra ende nuk ka mbërritur. Një ngarkesë me mandarina u asgjësua dhe një është bllokuar. Sipas analizave, mandarinat rezultojnë me përmbajtje pesticidesh.
“Në kuadër të transparencës për publikun, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njofton konsumatorin vendas se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit menjëherë pas marrjes së njoftimit nga Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqim dhe për Ushqim për Kafshë – RASFF ka nisur verifikimet dhe gjurmimin nëpërmjet Drejtorive Rajonale për evidentimin dhe marrjen e masave lidhur me ngarkesat e eksportit të produktit mandarinë të kthyera mbrapsht. Konkretisht, bëhet fjalë për tre ngarkesa me Mandarina clementine, të eksportuara nga subjektet grumbulluese ushqimore me vendndodhje në Berat dhe Fier. Dy prej ngarkesave kanë mbërritur në vendin e origjinës. Njëra prej këtyre ngarkesave është dërguar nga AKU – Pika e Inspektimit Kufitar, në subjektin eksportues dhe ngarkesa është asgjësuar nga fermerët me adresë Fshati Gorican, Bashkia Dimal, Qarku Berat dhe Fshati Mursi, Bashkia Konispol, Qarku Vlorë. Pas gjurmimit dhe marrjes së informacionit shoqërues, sqarojmë se analizimi laboratorik me Nr. 24112916.001, në datën 14 Nëntor 2024 me qëllim autokontrollin nga ana e subjektit eksportues është kryer në një laborator në Bari të Italisë. Sipas raport provës produkti ka rezultuar konform në lidhje me nivelin e mbetjes së pesticideve", - thuhet në njoftim.
"Ngarkesa tjetër gjendet aktualisht e bllokuar në subjektin grumbullues të ndodhur në Qarkun e Fierit dhe procedura e asgjësimit të produkteve do të kryhet nga ky Operator i Biznesit Ushqimor në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Tatimeve, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Autoritetin Kombëtar të Mjedisit. Kjo ngarkesë nuk është shoqëruar me një raport laboratorik. Ngarkesa e tretë e njoftuar me mbetje mbi normë të Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve, ende nuk ka mbërritur në Republikën e Shqipërisë. As kjo ngarkesë nuk ka qenë e shoqëruar me një fletë analize”, njofton Ministria e Bujqësisë.
Lidhur me ngarkesën e parë të përmendur më sipër, Ministria e Bujqësisë bën me dije se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë masa për kundravajtjet administrative në subjektin përkatës që ndodhet në Berat duke gjobitur dhe bllokuar aktivitetin e subjektit për moszbatim të legjislacionit në fuqi.
“Në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve po mbikqyren dhe merren masa për fermerët, të cilët kanë përdorur produkte për Mbrojtjen e Bimëve të ndaluara në Republikën e Shqipërisë. Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave 335, datë 6.6.2018 “Për miratimin e rregullave për regjistrimin, të procedurës dhe kritereve të vlerësimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve” Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përditëson listat e produkteve të lejuara sipas rekomandimeve të Rregulloreve të Bashkimit Europian. Ky rast, i cili është në kundërshtim me përcaktimet ligjore në fuqi, do të referohet pranë Institucioneve Ligjzbatuese”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.