Gazeta Si – Thirrjet për unitet, akuzat politike dhe teoritë e konspiracionit ndjekin njëra-tjetrën pas atentatit historik ndaj Donald Trump në një miting gjatë fushatës elektorale në Pensilvani.
Çfarë ndodhi në orët e pasdites në qytetin e vogël Butler, ku një 20-vjeçar, i dyshuar si zgjedhës republikan, qëlloi ndaj ish-presidentit Donald Trump, duke e plagosur lehtë në veshin e djathtë para se të eliminohej nga snajperistët e shërbimit sekret.
LEXO EDHE:
– Atentatorit të Trump i gjendet eksploziv. Viktima në miting vdiq në mbrojtje të familjes
– Dyshime dhe polemika për sigurinë e Trump, dëshmitari: Njoftova agjentët para sulmit, pse nuk e ndaluan?
– Me kamuflazh qëlloi 150 metra nga një çati ish-presidentin, atentatori ishte një zgjedhës republikan: E urrej Trumpin! (Video)
– Një dorë te Trumpi dhe një te syzet e diellit, akuza dhe anomali ndaj agjenteve femra që mbronin ish-presidentin
– Video / Momenti kur snajperët ekzekutojnë në kokë atentatorin e ish-presidentit Trump
– Plagoset me armë zjarri në vesh gjatë një mitingu Donald Trump, vritet atentatori dhe një pjesëmarrës (Video)
Ngjarja mori përmasa edhe më të mëdha, sepse Thomas Mathew Crooks, vrau edhe një 50-vjeçar, pjesëmarrës në tubim dhe plagosi rëndë dy të tjerë. Por le të shohim faktet minutë pas minute.
Ora 17:00
Portat e tubimit të Trump – që u mbajt në një zonë për panaire bujqësore dhe parqe zbavitëse, Butler Farm Shoë, në një qytet të vogël në Pensilvani – u hapën rreth orës 13:00
Pasi u kontrolluan përmes detektorëve metalikë, mijëra mbështetës të Trump kishin hyrë në hapësirën me diell dhe pa pemë në 32°.
Disa ishin në radhë që nga ora 11:00. Qarku Butler është qartësisht republikan: Trump fitoi këtu me 30% të votave në vitin 2020. Ish-presidenti dhe kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar të fliste në orën 17:00.
Ora 18:03
Trump mbërrin një orë me vonesë, del në skenë me këngën “God Bless the USA” nga Lee Greenwood, siç është tipike në mitingjet e tij.
Ai përshëndet me dorë, i veshur me një kostum blu pa kravatë dhe një kapelë të kuqe, “Make America Great Again”.
Ora 18:05
Trump fillon të flasë për numrin e mbështetësve të mbledhur në tubim. “Do të doja që mediat e rreme atje ta shfaqnin, sepse askush nuk do ta besonte”. Më pas ai nis një monolog për vendin që po “bëhet copë-copë”.
Ora 18:10
Trump kthehet djathtas dhe fillon të përshkruajë një grafik që tregon statistikat e emigracionit.
Ora 18:11
Siç thotë ai, “ky grafik është i para nja dy muajsh, nëse vërtet doni të shihni diçka të trishtuar, shikoni çfarë ka ndodhur…”, por këtu dëgjohet e shtëna e parë, pastaj e dyta.
Trump u kthye djathtas pikërisht në kohën që plumbi në vend që ta godiste në kokë, i preku veshin e djathtë.
Ndalet në mes të fjalisë dhe prek veshin. Ulet shpejt poshtë podiumit. “Poshtë! Më poshtë! Më poshtë! Poshtë”, – bërtet një agjent i shërbimit sekret. Spektatorët bërtasin dhe kërkojnë vend ku të fshihen.
Ora 18:12
Tre agjentë nisen te Trump. Në një video mund të shihet se, pak çaste pasi ish-presidenti u qëllua, një snajper i pozicionuar në një çati pas tij, qëllon në drejtim të sulmuesit, i cili ndodhet në çatinë e një shtëpie të ulët rreth 120 metra larg.
Si ishte e mundur kjo? Një spektator, Ben Macer, do të tregojë për rrjetin CBS se ai e pa sulmuesin, “duke lëvizur nga çatia në çati” dhe më pas shkoi t’i tregonte një oficeri, por që kur u kthye në vendin e tij, plumbat filluan të dëgjoheshin.
Nuk është i vetmi i pranishëm që ka raportuar në media se e ka parë agresorin me pushkë para se të qëllonte. “Shooter is down” (Qitësi u eliminua), thotë një oficer në skenë. “Lart!”, “shkallët janë të lira”.
Trump ngrihet me oficerët, të cilët e rrethojnë. Ai ka dy rreshta gjaku në fytyrën e tij, të cilat i zbresin në gojë. Gjaku i rridhte në fytyrë nga veshi i djathtë i dëmtuar nga plumbi që e kishte prekur fare pak.
Flokët e tij janë të shprishura, i ka humbur kapelja dhe këpucët. Disa nga mbështetësit e Trump pas tij duken të tronditur, të tjerë filmojnë me celularët e tyre.
Ora 18:13
Agjentët mbështesin dhe shoqërojnë Trumpin poshtë shkallëve të skenës, ndërsa ai vazhdon të tregojë grushtin e ngritur.
“Prit, prit”, thotë Trump. “Më lejoni të marr këpucët, këpucët e mia”. Një oficer i thotë: “Ne jemi këtu, zotëri. Ne jemi këtu”.
Trumpi përsërit: “Më lejoni të marr këpucët”. Oficerët: “I rrjedh gjak nga koka”, “Zotëri, duhet të shkojmë…”.
Është e paqartë nëse ai ka arritur t’i rikuperojë ato. Një foto do të tregojë një këpucë të braktisur në skenë.
Ai drejtohet: “Prit, prit”. Ngre grushtin në ajër. “Përleshje! Përleshje! Përleshje!” bërtet. Turma trumbeton me të madhe rreth tij: “SHBA! SHBA.! SHBA.!”.
Ora: 18:14
Një SUV-i i zi në të cilin Trump u shoqërua nga agjentët largohet nga tubimi me shpejtësi.
Ora 18:20
Një mjek, Jim Sweetland, i pranishëm në tubim, tha se ai u përpoq të ndihmonte një spektator: “Plumbi e goditi në kokë. Trupi i tij ishte përdredhur i tëri, kishte rënë mes dy stolave. Ai nuk merrte frymë, nuk kishte puls”.
Me ndihmën e tre personave të tjerë, mjeku thotë se e ka çuar në një stol për ta ringjallur: “Kishte shumë gjak në stol dhe gjithashtu copa truri…”.
Policët që po evakuojnë të gjithë pjesëmarrësit në tubim afrohen dhe e dërgojnë viktimën në autoambulancë.
Ora: 18:30
Disa anëtarë të stafit të Trump janë në lot, thotë fotografi i gazetës “New York Times”, Doug Mills.
Ora: 18:42
Shërbimet sekrete dhe fushata elektorale e Trump njoftojnë se ish-presidenti është i sigurt dhe ndodhet në spital duke iu nënshtruar kontrolleve.
Ora 19:24
Autoritetet konfirmojnë viktimat: një i vdekur dhe dy të plagosur rëndë përveç sulmuesit të vrarë nga snajperistët e shërbimit sekret.
Një faqe për mbledhjen e fondeve për të lënduarit është hapur në internet në “GoFundMe” nga fushata e Trump.
Guvernatori i Pensilvanisë, Ben Shapiro tha të nesërmen se pjesëmarrësi i vrarë quhej Corey Comperatore, 50 vjeç dhe motra e tij tha se ai vdiq duke mbrojtur familjen me trupin e tij.
Ora 20:13
Biden u flet gazetarëve nga shtëpia e tij në plazh në Delaware, ku po qëndron për fundjavën.
Deklaratat zgjasin vetëm dy minuta, ai thotë se ka tentuar të telefonojë rivalin e tij (e thërret me emër, Donald), por ish-presidenti ka qenë me mjekët dhe Joe shpreson se mund të flasë me të menjëherë më pas. “Nuk ka vend për këtë dhunë në Amerikë. Është një gjë e sëmurë, e sëmurë”.
Ora: 20:42
Trump tregon detajet e para të sulmit me një postim në rrjetin e tij social “TRUTH”: “Menjëherë e kuptova se diçka nuk shkonte kur dëgjova një fëshfërimë, të shtëna, menjëherë ndjeva se plumbi më preku lëkurën. Më rridhte shumë gjak, pastaj e kuptova se çfarë po ndodhte”.
Ai falënderon shërbimet sekrete dhe autoritetet e tjera dhe shpreh ngushëllime për familjet e viktimave të tjera. “Është e pabesueshme që diçka e tillë mund të ndodhë në vendin tonë”.
Ora 21:30
Autokolona e Trump dhe ekipit të tij, e shoqëruar nga Shërbimi Sekret dhe policia, largohet nga Spitali Butler drejt Pitsburgut, një orë larg.
Ora 23:37
Trump largohet nga Pitsburgu me aeroplanin e tij privat, i cili u ul në aeroportin e Newark në Nju Xhersi, ku tashmë ishte planifikuar të kthehej përpara se të shkonte në konventën republikane në Milwaukee, e cila fillon këtë të hënë.
Ndihmësja e tij, Margo Martin publikon videon që e tregon duke u ngjitur në shkallët e avionit: “I fortë dhe elastik. Ai kurrë nuk do të ndalojë së luftuari për Amerikën”.
Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.