Të enjten e parë të muajit shtator kur prezantoi qeverinë e mandatit të tretë, kryeministri Edi Rama lexoi një broshurë prej 42 faqesh mbi synimet e “mandatit historik”.
Një ndër to ishte edhe premtimi për rritjen e pagave mësuesve, mjekëve dhe infermierëve me 40% deri në fund të mandatit të tretë.
Rritja, sipas tij, do të ishte graduale duke filluar nga 1 korriku 2022.
Edhe pse kinse e kishte përsëritur në një takim me Ogerta Manastirliun pak kohë më parë, Rama priti një ditë para protestës së thirrur nga Berisha për të njoftuar se kategorive sa më sipër u kishte filluar rritja e pagës, me 6%.
Një shifër kjo në fakt jo fort premtuese edhe pse rezultati i saj duhet parë në fund të mandatit të tretë.
Ajo që Edi Rama bëri (për koecidencë apo jo) një ditë para protestës së thirrur nga Sali Berisha ishte vendimi për rritje pagash.
Kjo ishte lëvizja e parë.
Lëvizja e dytë ishte mbledhja pas shumë kohësh e Komitetit Teknik të Ekspertëve për situatën e COVID në vend.
Shifrat kanë kërcyer që prej të paktën 10 ditësh, por vetëm këtë të mërkurë Komiteti Teknik doli për të thënë se situata po përkeqësohet edhe pse në fund të konferencës së gjatë nuk u përcoll plan masash, por rekomanduan bërjen e vaksinës së tretë dhe mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura. Që do të thotë se një tubim i mbajtur në këto kohë shifrash të tilla, nuk shihet optimist.
Lëvizja e tretë ishte ulja e çmimit të naftës dhe benzinës.
24 orë para u rrit dhe Sali Berisha e denoncoi në Facebook si një lëvizje që nuk ishte konform asaj që impononte bursa.

Të nesërmen e denoncimit, pra këtë të mërkurë, Bordi mori tjetër vendim, duke ulur çmimin!
Ndërkohë, Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve tha për “Monitor” se fiksimi i çmimeve nga Bordi vetëm sa ka sjellë dëm, duke bërë që çmimet e fiksuara të jenë realisht më të larta sesa do të ishin nëse tregu do të lihej i lirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




