Ne rrjet

Tre krizat që po favorizojnë ngjitjen në pushtet të partive ekstremiste

Nga Gazeta ‘Si’-Nuk është një valë e re, por një rrymë e qëndrueshme që rrjedh vazhdimisht nën sipërfaqe. Gjatë dekadës së fundit, ecuria në politikë e kandidatëve ultra-nacionalistë, populistë apo atyre të ekstremit të djathtë në Evropë dhe në Amerikë ka pasur uljet-ngritjet e veta.

Përshpejtimi i fundit ndodhi javën e kaluar, me Javier Milein që u zgjodh si presidenti i ri i Argjentinës dhe partia e Geert Wilders që triumfoi në zgjedhjet parlamentare në Holandë. Këto fitore – vetëm pak ditë larg tjetrës – ndodhën në dy vende që janë shumë të ndryshme.

Gjithsesi ato përfaqësojnë një prirje të ngjashme. Suksesi i Milei dhe Wilders (që do ta ketë jo të lehtë të ndërtojë një shumicë për t’u bërë kryeministër), vjen pas humbjes të së djathtës nacionaliste në vende si Spanja dhe Polonia. Dhe në Britaninë e Madhe, laburistët e shohin  veten në prag të ardhjes në pushtet, pasi kanë qenë në opozitë për 13 vjet me radhë. Megjithatë, vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian, ku mund të konsolidohen përparimet e krahut të djathtë. Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara mund të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë Donald Trump, frymëzimi dhe shprehja maksimale e kësaj lëvizjeje.

Në politikë nuk ka valë të caktuara: realiteti është më jo-koherent. Ajo që ekziston janë rrymat e fshehta: pakënaqësia me politikën. Refuzimi i elitave. Pabarazitë ekonomike dhe territoriale. Ndjenja e një identiteti të kërcënuar. Zemërata. Dhe në këtë çerekun e parë të shekullit XXI-të, pak njerëz kanë qenë në gjendje të shfrytëzojnë këtë pakënaqësi dhe këto frikëra, dhe midis tyre janë figura si Trump, Wilders dhe Milei. “Nëse populizmi përparon, kjo ndodh sepse tërheq një popullsi që ndihet e trajtuar dhe e përbuzur në mënyrë të padrejtë”- thotë historiani Pierre Rosanvallon, në një intervistë me EL PAÍS në Collège de France, një institucion i vjetër arsimor në Paris, ku ai është profesor nderi.

Në këtë kontekst, 2 janë “kokat e turkut”: elitat dhe emigrantët. Ndërkohë ka një dallim midis fenomeneve populiste të së shkuarës, siç ishte Partia Popullore në Shtetet e Bashkuara në fund

të shekullit XIX-të dhe atyre aktuale. Kështu thotë Marc Lazar, një tjetër historian për El País. Dikur, këto lëvizje populiste përfaqësonin “periudha të vogla të trazuara që u zhdukën shumë shpejt”. Por tani jo më. “Prej 30 vjetësh jemi duke u përballur me një cikël protestash populiste, që janë afatgjata dhe me rrënjë të thella në shoqëri. Mund të ketë dështime ose fitore…por ky fenomen vazhdon të ekzistojë sepse përputhet me tre kriza të thella në shoqëritë tona”- thekson ai.

Kriza e parë është ajo e demokracisë përfaqësuese. “Sot ka një mosbesim dhe refuzim të klasës dhe institucioneve politike. Dominon ndjenja se udhëheqësit politikë janë të distancuar nga shqetësimet e popullit”- shpjegon Lazar, profesor në universitetin Sciences Po në Paris si dhe në Universitetin e Studimeve Sociale Ndërkombëtare në Romë. Sipas tij lëvizjet populiste të krahut të djathtë, nuk e paraqesin më veten si dikur, si lëvizje autoritare, por si më demokratë dhe më pranë me popullin.

Kriza e dytë është sociale. Por ajo nuk ka të bëjë vetëm me pabarazitë. Sepse bazohet edhe tek “ndjenja se një pjesë të shoqërisë nuk po i dëgjohet zëri” nënvizon Lazar. Ndërkohë, kriza e tretë është kulturore dhe ka të bëjë me identitetin: “A është dikush francez? Apo evropian?” Kësaj, Lazar i shton edhe sfidën nga emigracioni: “Pluralizmi kulturor dhe fetar dhe sulmet terroriste nga islamikët radikalë, provokojnë frikë dhe shqetësime që shfrytëzohen nga populistët e krahut të djathtë”.

Ngjarja e fundit e këtij lloji ndodhi fundjavën e kaluar në Crépol, një qytezë me 500 banorë në atë që mund të quhet “Franca e thellë”. Po organizohej një festë, kur befas u shfaq një grup të rinjsh të armatosur me thika, dhe u vra një adoleshent 16-vjeçar. Policia arrestoi disa persona, ndërsa mediat pretendojnë se sulmuesit ishin djem emigrantë nga një periferi e qytetit aty pranë Valences.

Viktima ishte një i ri vendas. Në Crépol bashkohen të gjithë përbërësit: Franca idilike rurale, e shqetësuar nga dhuna që vjen nga të huajt. Situata ka ringjallur rrezikun e një konflikti civil, teksa ai po nxitet vazhdimisht nga politikanët dhe intelektualët e ekstremit të djathtë në vend.

“Askush nuk është më i sigurt askund”- tha për revistën “Valeurs Actuelles”, Marine Le Pen, sërish një kandidate për ta pasuar në detyrë presidentin aktual Emmanuel Macron në vitin 2027. “Është kapërcyer një prag i ri”- shtoi ajo.

Ndërkohë në Dublin të Irlandës shpërthyen trazira me tone ksenofobike pas plagosjes me thikë të 3 fëmijëve dhe një gruaje. Kjo është Evropa e vjeshtës së vitit 2023. “Diçka po ndodh”- shkruan eseisti Dominique Moïsi, duke përmendur trazirat në Dublin, zgjedhjet në Holandë dhe zgjedhjet e ardhshme evropiane në Francë, të cilat në rast se nuk do të sjellin ndonjë surprizë – do t’i fitojë partia e Le Pen. “Një pjesë e popullsisë ndjen se ka humbur kontrollin mbi jetën e tyre dhe përballë kësaj politikanët dhe politika nuk janë më të besueshme”- shkruan ai. Atëherë çfarë po ndodh?

“Është shfaqur një skenar i ri, që mund të përfshijë fenomenet emigratore dhe çështjen e sigurisë, e cila lidhet ngushtë me të parën. Apo edhe Inteligjenca Artificiale dhe teknologji të reja. Bota ku jetojmë nuk po njihet më: ajo është bërë e frikshme. Në këtë kontekst, e djathta ekstreme është diçka që nuk është provuar ndonjëherë … ose të paktën jo për një kohë të gjatë. Prandaj, duket si mjeti i fundit”- thekson Moïsi.

Eseisti francez Alain de Benoist – një filozof i së ashtuquajturës “E djathta e re” në vitet 1980 dhe një referencë ndërkombëtare për figurat ekstremiste iu përgjigj pyetjeve tona nëpërmjet e-mailit mbi fitoret e Wilders dhe Milei: “Është e qartë se ka një valë, që është e nxitur nga refuzimi i partive të vjetra, gjë që është në qendër të krizës aktuale të demokracisë liberale. Këto zhvillime janë karakteristike për një kohë tranzicioni midis botës së mëparshme dhe botës që do të vijë”.

Sipas De Benoist midis këtyre lëvizjeve ka një pikë të përbashkët:stili populist. Sepse, pohon ai, “populizmi nuk është gjë tjetër veçse një stil, dhe kjo do të thotë se ai mund të kombinohet me politikat dhe ideologjitë nga më të ndryshmet. Kësaj i shtohet edhe emëruesi i përbashkët i refuzimit të emigracionit.

Herën e fundit në të cilën u duke se kishte ende një të ardhme, ishte gjatë viteve 1990, pas rënies së Murit të Berlinit. Ai ishte një moment i utopisë liberale: globalizimi dhe zgjerimi i pandalshëm i të drejtave të njeriut dhe demokracisë (për disa). Ai u ndërpre fillimisht nga sulmet e terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe pushtimet pasuese të udhëhequra nga Amerika në Lindjen e Mesme, më pas me krizën financiare 2008-2009, krizën e emigracionit të vitit 2015, pandeminë e Covid-19 në vitet 2020-2022 dhe krizën e vazhdueshme klimatike.

Gjatë rrugës, pamë ngjitjen në pushtet të Donald Trump dhe Brexit. Në Poloni dhe Hungari, u shfaqën qeveri ultra-nacionaliste, ndërsa Vox u rrit shumë në Spanjë. Dhe në Skandinavi, partitë e ekstremit të djathtë u bënë pjesë e koalicioneve qeverisëse, pavarësisht se këto vende kanë qenë prej kohësh modele të bashkëjetesës dhe vlerave demokratike.

Në Itali, një trashëgimtare e neofashizmit është tani kryeministre: Giorgia Meloni. Dhe, së fundmi, në një nga vendet më të begata dhe demokratike në Evropë – Holanda – Wilders ka fituar një shumicë votash. Dhe progresistët dhe liberalët po pyesin tani se çfarë të bëjnë.

Si mund të trajtojnë ata shqetësimet mbi migracionin, apo ndikimin tek punëtorët që kanë masat e marra kundër ndryshimeve klimatike? “Ne s’mund të bëjmë kompromis mbi parimet tona,” thekson eseisti francez Dominique Moïsi.

“Njëkohësisht, nëse nuk kemi përgjigje mbi problemet që ngrenë populistët, do të dështojmë”- thotë ai.

Gjithsesi, asgjë nuk është e pashmangshme. Këtë e theksoi javën e kaluar edhe kryetarja e bashkisë së Parisit, socialistja Anne Hidalgo, gjatë një mëngjesi me një grup gazetarësh.

“Pavarësisht gjithçkaje, Pedro Sánchez arriti të mbante në këmbë qeverinë e tij në Spanjë… Ky është një lajm i mirë për klimën dhe për Spanjën. Edhe zhvillimet e fundit në Poloni, janë një lajm i mirë për klimën dhe demokracinë që progresistët dhe centristët, që nuk janë skeptikë mbi tezën e ndryshimeve klimatike dhe janë pro-evropianë – kanë fituar”- u shpreh ndër të tjera ajo.

Burimi: El Pais/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë