Gazeta Si – Tre deputetë dhe një ish ministër ndodhen mes 14 zyrtarëve që janë nën hetim nga SPAK. Konfirmimi vjen pikërisht nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion, e cila i ka bërë publike këto të dhëna në “regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve” për muajin korrik të publikuar së fundmi.
Megjithatë, SPAK nuk ka zbuluar as emrat e tyre, as veprat penale konkrete për të cilat po hetohen. Në pyetjet drejtuar këtij institucioni për të identifikuar ministrin nën hetim dhe nëse po shqyrtohet aplikimi i një mase sigurie ndaj tij/saj, SPAK është përgjigjur duke refuzuar dhënien e informacionit.
SPAK-ut i është drejtuar një pyetje edhe për hetimet për krimin shtetëror të “21 Janarit” në vitin 2011, se në cilën fazë janë.
Por Prokuroria e Posaçme nuk jep detaje duke thënë se veprimet hetimore që kryhen gjatë fazës së hetimit paraprak përbëjnë sekret hetimor.
Ndërkohë një tjetër pyetje që i është drejtuar SPAK-ut është kjo: “Nga lista e deputetëve që kanë dalë nga zgjedhjet e 11 Majit, a ka persona nën hetim?
Kësaj pyetjeje SPAK i përgjigjet me këto fjalë: “Emrat e përfshirë në listat e dërguara, nuk rezultojnë të jenë regjistruar deri tani si persona në hetim në regjistrin e njoftimit të veprave penale, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.
Pyetje të tjera që i janë drejtuar SPAK-ut lidhen dhe me krimet zgjedhore. Lidhur me këtë çështje, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar se gjatë periudhës raportuese janë administruar 193 materiale kallëzuese që lidhen me dyshimet për krime zgjedhore. 43 prej tyre janë regjistruar si procedime penale, pra kanë kaluar në fazën e hetimit.
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme është pyetur lidhur me veprimet e IKMT-së dhe AKSH-së, në kuadër të aksionit të paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama për prishjen e ndërtimeve pa leje. Për këtë çështje, SPAK është shprehur se nuk bën pjesë në kompetencat e këtij organi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



