Nga Gazeta “SI” – Jo shumë vite mbas shpikjes së fotografisë së parë nga Nicephor Niepce dhe Luois Daguerrë në vitin 1826, në Shkodër mbërrin italiani Pietro Marubi i cili hap studion e parë fotografike në Shqipëri por dhe në rajon. Kështu vetëm 24 vite mbas fotografisë së parë, Shqipëria tashmë de facto kishte fotografin e vet, Pietron i cili që nga viti 1850 e deri në vitin 1952 (kur studio Marubi kaloi si ndërmarrje shtetërore) së bashku me trashëgimtarët e tij Kel dhe Gegë Marubi fiksuan në objektiv historinë urbane dhe njerëzore të Shqipërisë. Këto imazhe të ruajtura përgjatë një shekulli vinë për herë të parë në Tiranë në ekspozitën “Dinastia Marubi” të hapur në ambientet e Galerisë së Arteve Tiranë. Tre breza në mbi 150.000 negativë në xhama rrëfëjnë historinë e fotografisë shqiptare.
Pietro Marubi, italiani që krijoi historinë e fotografisë shqiptare
I ardhur në Shkodër në vitin 1858 , në moshën 22-vjeçare, Pietro Marubi u përfshi në lëvizje patriotike kundër pushtimit austriak duke luftuar për bashkimin e Italisë. Përfshirja e tij në këto lëvizje si dhe në vrasjen e Dukës së Parmës, Karlit III, e detyruan të ikte nga vendlindja.

Udhëtimi i tij filloi në Trieste. Për të vijuar në Korfuz, Zarë, Budva derisa vjen e vendoset përfundimisht në Shkodër.
Pas disa viteve eksperimentime me fotografinë ku Pietro fotografonte kryesisht në ambient të hapur, në 1865 hap studion e parë fotografike Foto-Studio ‘Marubi’ e para në Shqipërinë Osmane. I gjendur në krye të një aktiviteti premtues, ai merr si ndihmës bijtë e Rrok Kodhelit, Mati e Kel Kodheli.
Teknika e përdorur fillimisht prej tij është ajo e kolodiumit të lëngshëm e më pas e xhelatinës së thatë duke lënë si trashëgimi rreth 4000 negativë të realizuara.
Në vitet e para të veprimtarisë së Marubit bien në sy kryesisht fotografi të qytetarëve të Shkodrës, borgjezë, ushtarakë, të huaj të ardhur me ekspedita apo dhe njerëz të varfër.

Kulmin e saj studio Marubi e arriti gjatë kohës kur Kel Kodheli Marubi, i cili mori mbiemrin e mjeshtrit në ndër të tij u bë studio qëndrore e fotografimit të personaliteteve shqiptare të kohës, qe nga mbreti Zog i cili e kishte Marubin si fotograf zyrtar e deri tek Gjergj Fishta i cili në pak foto që ka, disa prej tyre mbajnë firmën e Kel Marubit.

Fotografitë realizoheshin kryesisht në studio duke përdorur teknikat e errësimit me anë të perdeve që ndalonin diellin të depërtonte. Por vulën e Marubit mbajnë dhe shumë fotografi peizazhesh të Shkodrës të fiksuara nga kalaja por dhe nga pjesa e poshtme e saj.

Tradita e fotografimi të të vdekurve
Një nga koleksionet e rralla që bie në sy në ekspozitën “ Dinastia Marubi” është ai i fotografive të shkrepura mbi trupat e vdekur. Një zakon ky i kohës i cili ia lejonte familjeve shkodrane ruajtjen e imazheve të të vdekurve në shtrat, para se tu jepej lamtumira e fundit.

Gjithashtu në studion e Kel Marubit fotografoheshin shpesh të huaj të cilët i konsideronin veshjet popullore shqiptare si veshje ekzotike. Studio Marubi kishte edhe një garderobë me veshje popullore të cilat i ofroheshin të fotografuarve.
Mati Kodheli, fotografi që nuk arriti të linte gjurmë

Së bashku me Kel Marubin, në studion e Pietro Marubit erdhi dhe i vëllai Matia. Të dy vëllezërit u dërguan nga në studion e Guillermo Sebastanuttit në Trieste për specializim në fushën e fotografisë. Pas kthimit Matia ndërron jetë në moshën 20 vjeçare nga Tuberkulozi.

Gegë Marubi, i fundit i dinastisë
Gegë Marubi ishte i treti i dinastisë së Marubëve. Duke qenë i biri Kelit ai u rrit në studion e tij të fotografisë nga ku mësoi teknikat më të mira të fotografisë. Në ekspozitë bien në sy foto montazhe të kohës të realizuara me mjeshtëri.

Gega ishte gjithashtu i pari që përdori tekniken me rreze infra të kuqe të fotografimit, një teknikë që mundësonte fotografi me qiellin pis të zi dhe me pemë të bardha . Pak para vdekjes Gegë Marubi i dhuron arkivës së shtetit shqiptar thuajse 34000 negativë në xham të përmasave të ndryshme.
Ekspozita “Dinastia Marubi” do të qëndrojë e hapur deri në 27 prill dhe do pasohet nga një antologji e botuar e fotografisë shqipe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.