Drejtësia

Tre anëtarë të KLGj e KLP kandidatë për një vakancë në Gjykatën Kushtetuese

Gjykata e Lartë ka nisur procedurat për plotësimin e tre vakancave që i takojnë në Gjykatën Kushtetuese, përfshirë këtu edhe zëvendësimin e anëtares aktuale, Vitore Tusha.

Kjo gjykatë shpalli më 15 nëntor thirrjen publike për vakancën e krijuar nga largimi i Gani Dizdarit. Pas përfundimit të afatit 30-ditor për pranimin e kërkesave të kandidatëve, janë pesë emra që kanë shfaqur interes për një post në Kushtetuese.

Emra janë Brunilda Kadi, Ilir Toska, Holta Zaçaj, Manjola Xhaxho dhe Tartar Bazaj.

Brunilda Kadi është aktualisht anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor si përfaqësuese e gjykatave të rretheve. Përvoja e saj e punës fillon me emërimin si Gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për të vazhduar në Fier dhe Tiranë. Për tre vite, ajo ushtron funksionin e anëtares së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kadi është gjithashtu edhe eksperte pranë Shkollës së Magjistraturës dhe ka qenë, pjesëmarrëse si eksperte e Nivelit të Lartë në hartimin e ligjeve të gjyqësorit në kuadër të Reformës në Drejtësi. Mandati i saj si anëtare e KLGj përfundon brenda këtij viti.

Ilir Toska është gjithashtu anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor si i zgjedhur nga radhët e gjykatave të Apelit. Emërimi i parë në detyrë ka qenë në pozicionin e Gjyqtarit pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Librazhd dhe më pas ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë. Përvoja e tij e punës përfshin edhe detyrën si Kryeinspektor i Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Edhe Toskës i përfundon mandati si anëtar i KLGj-së më 31 dhjetor.

Kandidatja tjetër, Holta Zaçaj është avokate me përvojë në çështjet që lidhen me sektorin bankar dhe transaksionet në fushën e pasurive të paluajtshme, ndërsa nga 2003 deri në 2018 ka qenë ekspertë pranë Shkollës së Magjistraturës.

Manjola Xhaxho është gjyqtare pranë gjykatës së shkallës së parë në Tiranë. Ajo ka kaluar në procesin e vettingut që në maj të 2018-s me vlerësim pozitiv në të trija kriteret. Në 2018 ka qenë kandidate për anëtare në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Kandidati i fundit është Tartar Bazaj. Bazaj është anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ai ka një përvojë në sistemin e drejtësisë që nga marsi i 1995-s, kur u emërua gjyqtar në Sarandë, ndërsa është edhe lektor në Kriminalistikë, Kriminologji-Penologji dhe elementët e Kriminologjisë Klinike prej vitit 2019.

Pesë kandidaturat i dërgohen Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për t’i renditur sipas profesionalizimit dhe aftësive. Lista me të paktën 3 emra do të duhet t’i rikthehet sërish Gjykatës së Lartë, që duhet të vendosë me shumicë votash për kandidaturën fituese. Por, para se të mbërrihet te ky hap, Gjykata e Lartë duhet që më parë të plotësojë kuorumin prej 14 anëtarësh. Aktualisht, kjo gjykatë ka nëntë anëtarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë