Ka ndodhur

Tre aksidente me dy viktima dhe një të plagosur në Krujë, Lushnjë dhe Elbasan

Gazeta Si – Dy viktima dhe një i plagosur është bilanci i tre aksidenteve të ndodhura brenda pak orësh në Krujë, Elbasan dhe Lushnjë.

Të martën në mbrëmje, në Tapizë të Krujës, një 56-vjeçar është përplasur për vdekje nga një makinë tip “Fiat” që drejtohej nga një 22-vjeçare.

Rreth orës 22:35, shtetasja E.T., 22 vjeçe, duke drejtuar automjetin tip “Fiat”, ka aksidentuar shtetasin B. Xh., 56 vjeç, i cili si pasojë ka ndërruar jetë në vendngjarje. Mësohet se shoferja e re është vënë në pranga.

Po mbrëmjen e djeshme, një 87-vjeçari ndërroi jetë, pasi u përplas në vendin e quajtur “Rotondo e Savrës” në Lushnjë nga një fuoristradë që po kalonte në rrugë.

I moshuari po kalonte nga njëra anë e autostradës në tjetrën me një tufë dru mbi shpinë, kur u përplas nga makina. Ai nuk mundi t’i rezistojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.

Drejtuesi i automjetit, 38-vjeçari me iniciale O. F., është shoqëruar në Komisariat, me të cilin po kryhen veprimet procedurale.

Ndërkohë, një aksident tjetër ka ndodhur mëngjesin e kësaj të mërkure në aksin Elbasan-Peqin pranë fshatit Vidhas.

Ende nuk dihen rrethanat e aksidentit, por paraprakisht dyshohet se ka ndodhur për shkak të lagështisë.

Automjeti me drejtues shtetasin Gj. Z., 32 vjeç, banues në Elbasan, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin K. K., 30 vjeç, banues në Kuçovë.

Për pasojë është dëmtuar lehtë shtetasi Gj. Z., i cili u dërgua për ndihmë mjekësore, në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Me shtetasin K. K. po kryhen veprimet procedurale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë