Ngjarje

Katër aksidente brenda pak orësh në rrugët e vendit: Dy të vdekur, 6 të plagosur (mes tyre 2 të mitur dhe dy turistë)

Gazeta Si – Dy të vdekur dhe 6 të plagosur, mes tyre dy të mitur dhe dy turistë të huaj, është bilanci i orëve të fundit nga aksidentet rrugore në vend.

Më i fundit, ka ndodhur në Elbasan paraditen e kësaj të shtune, me pasojë vdekjen e një 70-vjeçari dhe plagosjen e tre personave të tjerë.

Policia tha se shoferi 39-vjeçar humbi kontrollin e automjetit dhe si pasojë është përplasur me barrierën anësore të rrugës.

70-vjeçari, u dërgua drejt spitalit, por nuk mundi t’i mbijetojë dot plagëve të marra. Mes tre të plagosurve ishin edhe dy të mitur, 10 dhe 15 vjeç, si dhe 25-vjeçari K.Sh.

Sipas policisë, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin shoferin  A. Sh., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Fier

Mbrëmjen e të premtes, rreth orës 22:00 në aksin rrugor Levan-Tepelenë, Fier, një këmbësor është përplasur për vdekje nga një makinë në fshatin Buzëmadh.

Policia tha se viktima është 84-vjeçari me iniciale N.M., i cili ndërroi jetë në vendngjarje. I moshuari u përplas nga një makinë tip Opel që drejtohej nga O.P., i cili është shoqëruar në komisariatin e policisë për veprime të mëtejshme.

Sarandë

Më herët, po mbrëmjen e të premtes, dy turistë të huaj, një gjerman dhe një austriak, kanë mbetur të plagosur, pasi motori me të cilin udhëtonin doli nga rruga.

Aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë në dalje të tunelit të Skërficës për në Sarandë. Sipas policisë, 69-vjeçari gjerman me iniciale R.B., humbi kontrollin e motorit dhe doli nga rruga. Bashkë me të mbeti i plagosur dhe pasagjeri austriak G.G., 60 vjeç. Të dy shtetasit janë dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Sarandës.

Maliq

Aksidenti i katërt ndodhi pas mesnatës, ku një këmbësor është përplasur nga një furgon pranë fshatit Leminot të Maliqit në aksin Korçë-Pogradec.

Këmbësori me iniciale Th.K., rreth 58 vjeç ka mbetur i plagosur. Ai është dërguar në Spitalin e Korçës për ndihmë mjekësore. Ndërkohë, policia po kryen veprimet e mëtejshme proceduriale me drejtuesin e furgonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë