Futboll

Trazirat në derbi, Tirana paguan trefishin e Partizanit. Dënohet edhe Tefik Osmani

Gazeta Si – Ishin të pritshme gjobat për klubet e Tiranës dhe Partizanit, pas rrëmujave që ndodhën në derbin e mesjavës, ku u thyen stola, u futën tifozë në fushë dhe pati ndërprerje loje. Gjoba është e majme për Tiranën, 600 mijë lekë, kurse Partizani duhet të paguajë 200 mijë lekë.

Klubi i Tiranës ishte organizator në derbi, ndërkohë që gjoba për të duket se është me madhe për faktin se ndryshe nga rivalët e Partizanit, prej tifozëve të saj pati edhe banderola homofobike. Drejtuesi i klubit bardheblu, Tefik Osmani, është pezulluar me 2 ndeshje, pasi provokoi publikun.

Tefik Osmani, drejtori sportiv i Tiranes. Gazeta Si, 19 maj 2023

Gjoba, por në një masë më të vogël, pati edhe për Erzenin dhe Vllazninë.

Vendimet e Disiplinës
Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, dëmtimin e mjediseve sportive, hedhjen e sendeve në terrenin sportive, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të lojës dhe shfaqjen e banderolave homofobike, dënohet me gjobë në masën 600.000 lekë. Urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në “Air Albania” brenda 15 ditëve.

Zyrtari i Tiranës, Tofik Osmani, për provokim të publikut, dënohet me 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, dëmtimin e mjediseve sportive dhe hedhjen e sendeve në terrenin sportive, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të lojës, dënohet me gjobë në masën 200.000 lekë. Urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në “Air Albania” brenda 15 ditëve.

Erzeni, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në terrenin sportiv, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.

Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në terrenin sportiv, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë