Mjedis

Tratat, gijotina e peshkimit në Durrës

Peshkimi është e përditshmja e tij. Lemi (siç e thërrasin miqtë) nuk mund ta mendojë që të qëndrojë pa peshkuar, qoftë edhe për një ditë.

Lemi rrëfen se e ka shtëpinë vetëm 350 m larg prej bregut të detit, “sapo kalon xhadenë” dhe nuk ka kaluar asnjë ditë pa peshkuar, që prej kohës kur ka qenë fëmijë.

Tashmë në moshë pensioni, ai zgjohet çdo ditë në 5:00 të mëngjesit dhe del buzë detit për të peshkuar me grep, “herë-herë edhe me lejlek apo shtizë”, deri në orën 8:00.

I njëjti ritual përsëritet edhe gjatë mbasditeve: Ai del nga shtëpia në orën 2:30 drejt bregut të detit dhe më pas kthehet sërish pasi bie errësira.

Peshkimi për Lemin është pasion,  një mënyrë të jetuari, por jo punë për të jetuar.

Ndërkohë që peshkon, ai tregohet shumë i kujdesshëm me peshqit dhe jo rrallë herë një pjesë të tyre i lëshon sërish në det, se janë shumë të vegjël.

“Do të rritet dhe do të vijë prap te unë.”,- thotë duke qeshur, ndërsa na shpjegon se lloji i peshkut që peshkon është zakonisht levrek i vogël.

“E ka mishin ilaç. Është mish shumë i lehtë. Këtu ka në dimër e në verë. Ky skuqet njëçikë e hahet.”, vijon ai, ndërsa shpjegon se peshqit afrohen prej gurëve, ndërsa në zonë ka edhe gaforre apo karkalecë.

“Unë përgjithësisht zë peshk sa për të ngrënë vetë.”

Ndërsa flet për peshkimin, ai tregon  një shqetësim i tij, që ka të bëjë me peshkimin e paligjshëm.

Sipas tij problemi më kryesor është peshkimi me trata, shumë i përhapur gjatë gjithë bregut të detit.

“Janë bërë rrjetat gardh. Një peshkatar ka 2 mijë metra, 3 mijë, 5 mijë metra rrjetë. Peshkojnë me trata deri në rrëzë të gurëve. I hedhin, i tërheqin me krah dhe i nxjerrin në breg.”- rrëfen ai.

“Peshkim i paligjshëm për momentin janë tratat, ato rrjetat e mëdha që dalin deri në 6 veta e që i tërheqin. Këto rrjeta hidhen në breg të detit e dëmtojnë shumë. Është gjëja më e qelbur. I shkatërrojnë vezët e peshkut të gjitha. Është gjynaf.”

Diçka e tillë nuk lejohet ligjërisht, por megjithatë është një fenonem shumë i përhapur.

“Policia i sheh dhe bën sikur nuk i sheh. I gjuajnë natën, në mes të ditës, në mes të verës, në kohë plazhi.  Të ishte si në Itali do të ishte mirë. Paguaj taksë e gjuaj me grep, por nuk do të hynin me rrjetë deri në breg.”-thotë Leni

“Në Itali paguajnë 30 Euro në vit e gjuajnë me grep sa të duan dhe nuk lejohet absolutisht të gjuash në breg, por hyjnë në 100 m thellësi. Këtu nuk është lejuar në kohën e Enverit, por tani është bërë katrahurë. Kush të linte të gjuaje atëherë?! Këtu një varkë peshkimi kishe, që këtu e deri në Kallm, te baza e peshkimit.  Armiku numër një i peshkut tratat janë. Por këtu i përdorin sepse marrin peshkun dhe e shesin, bëjnë tregti.”

Sipas një tjetër peshkatari , në bregdetin Adriatik, në zonën e Durrësit gjuhet edhe në atë që njihet si zona e cisternave apo zona e naftës, një zonë, ku nuk lejohet të gjuhet e pikërisht ata që e bëjnë diçka të tillë janë vetë policët.

“Unë njoh një polic, i cili shkon dhe gjuan peshkun atje ku nuk lejohet asnjë njeri. Atje është qetësi dhe ka miting me peshq. Është një zonë ku ka benzinë, naftë, te zona e cisternave e që fillon këtu e del te ura poshtë. Ai ka hedhur një mal me gurë atje dhe peshku gjen qetësi e ai gjuan për merak.”

Gjuetia e peshkaqenëve

Lemi rrëfen se ka pasur raste kur në det ka pasur edhe peshkaqenë, të cilët janë plagosur nga peshkatarët e madje flet edhe për foka apo edhe balena.

“Nuk ka det pa peshkaqen! Edhe deti Adriatik ka peshkaqen. Peshkatarët gjuajnë me trata të mëdha. Varkat e peshkimit pastaj, ato i kapin, pavarësisht se rrallë. Këtu ka ardhur edhe balenë për atë punë. Balena ngordhi.  Hyri brenda në port dhe e vranë. Ishte e plagosur.  E nxorrën, e vranë. Edhe foka kanë ardhur. Jo një, por dy foka brenda në port.”,- vijon ai.

Peshqit kërcorë janë  gjitarë të rrezikuar në të gjithë Mesdheun , ku përfshihet edhe deti Adriatik dhe Jon.

Nga vlerësimi i fundit i 2016 nga IUCN, në detin Mesdhe, të paktën 56% e peshkaqenëve dhe 50% e rajave (lloj peshkaqeni) janë me status të kërcënuar.

E njëjta situatë paraqitet në ujërat që lagin Shqipërinë me pjesën më të madhe të këtyre llojeve.

Peshkaqen i kapur në Vlorë

Për këtë arsye, 15 lloje peshkaqenësh që ndeshen më shpesh në ujërat tona janë të mbrojtura përmes konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit vendas, si në fushën e mjedisit, ashtu dhe atë të peshkimit.

Edhe Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri tërheq vëmendjen për këtë situatë, ndërsa bën me dije se “Përmes projektit SAFE Shark, kemi arritur të propozojmë që 11 lloje të tyre të propozohen për t’u futur dhe në listën e kuqe të përditësuar të faunës shqiptare.”

“Duhet theksuar se peshkaqenët janë një grup shumë i rëndësishëm i predatorëve (grabitqarëve) të mjedisit detar, shumë i rrezikuar nga aktiviteti njerëzor, kryesisht përmes peshkimit aksidental/rastësor. Ulja e numrit të tyre jo vetëm që sjell humbje të biodiversitetit, por dhe pasoja të mëdha në rrjetet trofike të ekosistemeve detare. Për pjesën më të madhe të llojeve të tyre është i ndaluar, peshkimi, dhe në rast zëniesh aksidentale duhen lëshuar sërish në det ose në rast të kundërt nxjerrja e tyre në tokë përbën shkelje dhe sjell vendosjen e gjobave”, shprehen përfaqësues nga ky institut.

Ata vlerësojnë se në shumicën e rasteve speciet e kapura përmes peshkimit në bregdetin e Adriatikut dhe të Jonit, janë specie të rrezikuara dhe që kanë status mbrojtjeje rajonale apo botërore.

“Ne ju bëjmë me dije se bazuar në kuadrin ligjor për peshkimin, ku përfshihen edhe speciet e peshkaqenëve, kapje të tilla (qofshin dhe rastësore) janë të dënueshme, por gjithashtu edhe zbarkimi i tyre në tokë dhe akoma më tej shitja apo servirja e tyre nga/për restorantet.”, vijohet nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri.

Specialistët theksojnë se në shumë raste vetë peshkatarët indirekt, por edhe media kanë bërë të mundur evidentimin e këtij fenomeni nga institucionet inspektuese, të cilët në zbatim të ligjit kanë aplikuar edhe gjoba ndëshkimore për këto subjekte.

“Shpesh herë i është bërë reklamë praktikave të gabuara të kapjes së peshkaqenëve dhe për më tepër zbarkimit në tokë, shitjes dhe servirjes së tyre në/nga restorante.”

Sipas tyre peshkaqenët kanë qenë dhe do të jenë pjesë e deteve që lagin brigjet tona, për aq sa është e mundur duhet të ndiqen të gjithë rregullat e parashikuara për mbrojtjen e këtyre llojeve të rrezikuara dhe të ndërgjegjësimit të komunitetit mbi rëndësinë e tyre dhe jo raportimi i tyre si trofe gjahu.

Llojet kryesore të peshkimit të paligjshëm në Shqipëri

Peshkimi me trata apo me rrjeta është lloji i peshkimit të paligjshëm më i përhapur në vendin tonë.

“Peshkimi me rrjeta deri në 100 metra larg bregut nuk lejohet me ligj. Në vendin tonë kjo lloj gjuetie është shumë e zakonshme. Kjo dëmton popullatat me peshq të vegjël që ndodhen afër bregut.”, shpjegon Orges Cara, përfaqësues i organizatës “Ekolëvizja” në Durrës.

Ai vëren se një formë tjetër e peshkimit të paligjshëm është edhe “spearfishing”.

“Peshkimi ‘spearfishing’ natën është i ndaluar dhe nuk quhet më sport për arsye se peshku është i palëvizshëm gjatë natës dhe nuk i jep mundësi as të fshihet”.

Ndërkohë që jo rrallë herë në vend ka pasur edhe peshkim me dinamit apo elektricitet.

Sipas Carës, peshkimi me dinamit renditet në vendin e parë të peshkimit të paligjshëm, sepse ka efekte direkte te njeriu.

“Shkak bëhet pakujdesia me të cilin përdoret materiali plasës ku rrezikon edhe jetën e personit që e përdor. Së dyti, përveç peshqve që vret dhe nuk bën respektimin e masës së tij, dëmton edhe ekosistemin duke shkatërruar biodiversitetin.”

Cara shton se ashtu si peshkimi me dinamit, edhe peshkimi me elektricitet paraqet të njëjtat rreziqe.

“Personat që e ushtrojnë rrezikojnë edhe jetën e tyre në rast pakujdesie. Peshkimi me elektricitet ka dëme shumë të mëdha në qoftë se bëhet në periudhën e riprodhimit sepse mund të dëmtojë vezët duke sjellë ulje të konsiderueshme të popullatës.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë