Trashëgimi

Trashëgimia jomateriale, një thesar në rrezik/ Rinia shqiptare e interesuar, por pa njohuri

Gazeta ‘SI”– Një studim i fundit i realizuar në kuadër të projektit “Heritage is our brand” (Trashëgimia është Marka Jonë), i financuar nga Bashkimi Evropian, sjell një tablo komplekse për marrëdhënien e të rinjve shqiptarë me trashëgiminë jomateriale.

Pyetësori u zhvillua me mbi 1,000 të rinj të moshës 16-33 vjeç, nga të gjitha qarqet e Shqipërisë dhe nga 11 shtete të diasporës shqiptare.

Angazhim i lartë, por me boshllëqe njohurish

Rezultatet e pyetësorit tregojnë se 95% e të rinjve shfaqin interes dhe angazhim për ruajtjen e trashëgimisë jomateriale. Megjithatë, gati gjysma e tyre nuk arrijnë të bëjnë dallimin mes trashëgimisë materiale dhe asaj jomateriale.

Vendndodhje arkeologjike janë përfshirë gabimisht në këtë kategori nga shumë prej të anketuarve, çka flet për një mungesë të theksuar edukimi.

Vetëm 58.7% e të anketuarve njohën siç duhet të gjitha kategoritë e trashëgimisë jomateriale, ndërsa 41.3% dhanë përkufizime të pasakta. Kjo tregon për një nevojë të madhe për ndërgjegjësim dhe edukim më të gjerë në sistemin arsimor.

Shumica e të rinjve kërkojnë përfshirje më të thelluar të trashëgimisë në kurrikulat shkollore, por në praktikë marrja pjesë në aktivitete kulturore është ende e kufizuar. Familja dhe ngjarjet lokale mbeten burimet kryesore për trashëgiminë, ndërsa platformat virtuale dhe rrjetet sociale përdoren gjithnjë e më tepër si mjete për njohje dhe promovim.

Xhubleta dhe Transhumanca: Pasuri të UNESCO-s, por pak të njohura

Një tjetër gjetje shqetësuese është mungesa e njohurive për elementët e trashëgimisë që tashmë janë pjesë e listës së UNESCO-s. Ndërsa K’cimi i Tropojës dhe Isopolifonia janë relativisht të njohura, Xhubleta dhe Transhumanca mbeten në hije madje edhe në zonat ku ato janë praktikuar historikisht.

Në përqindje, këngët dhe vallet tradicionale njihen nga 64% e të rinjve, dialektet nga 58%, përrallat dhe legjendat nga 51%, ndërsa artizanati nga vetëm 27%.

Një projekt i ri për të rikthyer trashëgiminë në qendër të vëmendjes

Pikërisht në këtë sfond, DMO Albania në bashkëpunim me EU Policy Hub kanë nisur një projekt të ri dyvjeçar, gjithashtu të financuar nga Bashkimi Evropian, nën titullin “Trashëgimia është marka jonë”.

I nisur më 14 janar 2025 dhe në vazhdim deri më 14 janar 2027, projekti synon të ruajë dhe promovojë trashëgiminë jomateriale shqiptare përmes tregimit, produkteve artistike dhe edukimit të të rinjve.

Projekti do të përfshijë rrjetëzim mes aktorëve të ndryshëm, platforma arsimore dhe virtuale, aktivitete të të mësuarit nga kolegët si dhe shkëmbime me praktika të ngjashme në vendet e tjera evropiane.

Mesazhi që ky projekt synon të përcjellë është i qartë: trashëgimia është marka jonë dhe duhet ta ruajmë me krenari.

Për një trashëgimi të gjallë, jo vetëm të dokumentuar

Trashëgimia kulturore, veçanërisht ajo jomateriale, luan një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e identitetit dhe kuptimin e vazhdimësisë kulturore të shoqërive. Në këtë kategori përfshihen këngët, vallet, dialektet, artizanati, ritualet dhe praktikat shpirtërore, të cilat nuk ruhen në muze, por në vetë jetën dhe kujtesën e komuniteteve.

Ndërsa Shqipëria avancon drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, nevoja për të ruajtur trashëgiminë në mënyrë autentike bëhet më e rëndësishme se kurrë. Në përputhje me moton e BE-së “Të Bashkuar në Diversitet”, kjo trashëgimi duhet të jetë jo vetëm krenari kombëtare, por edhe kontribuese në mozaikun kulturor europian.

Ligji nr. 27/2018 për Trashëgiminë dhe Muzetë ka krijuar një bazë të qartë ligjore për mbrojtjen e kësaj trashëgimie. Por përtej ligjit, është pjesëmarrja aktive e komuniteteve e sidomos e brezit të ri ajo që e bën trashëgiminë të gjallë dhe të qëndrueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë