Nga Gazeta Si- Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq tre shtetasit A.M., E.C., dhe A.M. për ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit’ e kryer në bashkëpunim dhe në sasi të mëdha. 3 të rinjtë transportonin 21 kg lëndë eksplozive.
Shtetasi A.M u kap nga policia gjyqësore në flagrancë në fshatin Vajkan, të qarkut Fier, ku kishte lënë mjetin e tij pranë lëndës eksplozive, në një rrugë dytësore pranë rrethrrotullimit përballë qëndrës “Viva” në rrugën për tek vendi i quajtur “Safari”. Ndërkohë që bashkëpunëtorët e tjerë ishin duke u afruar pranë tij me një mjet tjetër pa targa, i trafikuar dhe me shasi të falsifikuar, brenda të cilës u sekuestruan 3 bidona me lëndë djegëse benzinë.
Nga hetimet rezultoi se të tre të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetërin, më datë 28.09.2023 kanë poseduar dhe trasportuar lëndën eksplozive prej 21 kilogram e 265 gram në qytetin e Fierit.
Të pandehurit, janë të dënuar më parë dhe dyshohet se janë përfshirë në ngjarje të rënda. Pas kryerjes së veprime të plota, organi i akuzës ka arritur të provojë se të pandehurit kanë konsumuar plotësisht veprat penale për të cilën akuzohet dhe për këtë shkak ka përpiluar kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.