Ka ndodhur

Transportonte mineral kromi pa dokumentacion, procedohet penalisht shoferi

Policia e Lezhës ka proceduar penalisht një 36-vjeçar, pasi po transportonte mineral kromi në mënyrë të paligjshme.

“Në kuadër të bashkëpunimit me strukturat e DVP Lezhë dhe në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimit ekonomik, shërbimet e Njësisë Operacionale për Autostradën kanë shtuar kontrollet dhe si rezultat kanë konstatuar dhe ndaluar në Milot, mjetin kamion tip ‘Benz’ me mineral kromi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë kontrollit të ushtruar, është konstatuar se drejtuesi i mjetit, shtetasi A. Xh. transportonte mineral kromi në mënyrë të paligjshme, pa dokumentacionin përkatës.

Në vijim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë DVP Lezhë proceduan penalisht shtetasin A. Xh. 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave”.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë