Shendet

Transplantet me veshkë derri marrin dritën jeshile për eksperimentet te njeriu

Shkencëtarët vazhdojnë të përparojnë me kërkimet sesa mirë mund të funksionojnë organet e derrit te njeriu dhe janë gati për një hap tjetër: eksperimentet klinike në shkallë të gjerë.

eGenesis, një nga kompanitë bioteknologjike që merret me modifikimin e gjeneve te derrat, organet e të cilëve transplantohen te njeriu, njoftoi të hënën se Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), u ka dhënë dritën e gjelbër eksperimenteve me veshkën e derrit te njeriu.

“Është një periudhë shumë optimiste”, tha Paul Conway, drejtues i politikave dhe marrëdhënieve globale të Shoqatës Amerikane të Pacientëve me Sëmundje Veshkash.

Derrat e eGenesis modifikohen gjenetikisht që organet e tyre të përshtaten me njerëzit. Për këtë përdoret mjeti CRISPR i cili heq gjenin përgjegjës për karbohidratin alfa gal. Pa të, trupi i njeriut do ta refuzonte thuajse menjëherë një organ derri.

Janë kryer disa ksenotransplante në SHBA me veshkën dhe zemrën e derrit. Kjo ka ndodhur kur pacientët nuk kishin mundësi të tjera dhe organet janë transplantuar sipas rregullave të veçanta që lejojnë përdorimin e terapive eksperimentale për pacientë të pashpresë.

Të hënën, mjekët e Massachusetts General Hospital thanë se kishin kryer transplantin e tretë me veshkë derri. Marrësi, Bill Stewart, e kishte kryer ndërhyrjen më 14 qershor dhe është kthyer në shtëpi e punë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë