Analize

Transnistria / Çfarë ndodh nëse Putin hap frontin e dytë të luftës

Nga Fulvio Scaglione-Shumë shpejt do të mësojmë nëse do të hapet një front i dytë në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, dhe në përgjithësi midis Rusisë dhe Perëndimit. Sot në Tiraspol, kryeqyteti i Republikës së vetëshpallur të Transnistrias, do të zhvillohet Kongresi i të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur, nga deputetët deri tek kryetarët e fshatrave të vegjël.

Ndërkohë të enjten e datës 29, në Moskë presidenti rus Vladimir Putin do të flasë në Këshillin e Federatës, dhoma e lartë e parlamentit rus. Të dyja këto takime kanë lidhje midis tyre, sepse hipoteza më e përhapur deri tani është se përfaqësuesit e Transnistrias, të thirrur dhe të udhëhequr nga lideri Vadim Krasnoselsky, do të kërkojnë zyrtarisht aneksimin nga Rusia.

Dhe në ndërhyrjen e tij të fundit institucionale para zgjedhjeve presidenciale të datave 15 -17 marsit, Putin do të dëgjojë “klithmën e dhimbjes” të republikës separatiste të Moldavisë, duke përsëritur operacionin e dy viteve më parë, kur Moska njohu shkëputjen nga Ukraina të së ashtuquajturave Republika të Donetskut dhe Luganskut në rajonin e Donbassit.

Dhe ne e dimë se çfarë ndodhi më pas: pushtimi i Ukrainës. Prandaj tani shumë njerëz kanë frikë se njohja dhe aneksimi i mundshëm i Transnistrisë, mund të jetë në mënyrë të ngjashme një prelud i pushtimit të Moldavisë, e cila që nga qershori 2022 është një vend kandidat për  në Bashkimin Evropian.

Çështja e aneksimit të Moldavisë nga Rusisë, nuk është ndonjë gjë e re. Ajo nuk ka lidhje as me ngjarjet e fundit të Ukrainës. Që në vitin 2006, një Kongres i ngjashëm vendosi të mbajë një referendum mbi këtë çështje. 97 për qind e atyre që votuan, u shprehën në favor të aneksimit nga Rusia dhe synimit për të ruajtur pavarësinë (të shpallur që në vitin 1991) deri në përfund të këtij procesi.

Dhe ja ku jemi sërish në të njëjtat ujëra, por në një kontekst ndërkombëtar shumë më dramatik, në të cilin askush nuk është më i prirur t’i konsiderojë disa pretendime folklorike.

Si bazë për nismën e re, autoritetet transnistriane përmendin  krizën e fortë ekonomike, e cila sipas tyre ka ardhur për shkak të vendimit të qeverisë moldave për të anuluar përjashtimin nga tarifat e importit që i njihej më parë kompanive transnistriane.

“Një katastrofë humanitare”, e përkufizoi Aleksandr Korshunov, president i parlamentit të rajonit separatist, duke theksuar atë që në realitet është humbja e një privilegji, që megjithatë është shumë e rëndë për një republikë të njohur vetëm nga Abkhazia dhe Osetia e Jugut (dy territoret rusisht-folëse që janë shkëputur nga Gjeorgjia), një enklavë e vogël e gjendur midis Moldavisë dhe Ukrainës, me më pak se gjysmë milioni banorë dhe pa dalje në det.

Natyrisht, realiteti është më i gjerë dhe më ndryshe nga sa synohet të paraqitet. Problemi  është se pakica moldave rusisht-folëse që e popullon Transnistrian, është një tjetër nga ato “copa të vogla të Rusisë” (Abkhazia dhe Osetia, Donbasi...) që ka lënë pas shembja e Bashkimit Sovjetik.

Ndërmjet integrimit në shtetet e reja dhe ëndërrimit të “Nënës Rusi” të humbur, ata preferuan të tentonin një rikthim në të kaluarën, të nxitur sigurisht nga Moska, e cila shihte tek ato një mjet të dobishëm për zbatimin e politikës së të ashtuquajturit “oborr” (pra zona në të cilën Kremlini mund të ruante një ndikim gjeopolitik, e shpallur që nga fillimet e presidencës së Boris Yeltsin).

Sigurisht, separatizmi i Transnistrisë u ushqye nga kriza e përjetshme e Moldavisë dhe Ukrainës, të cilat edhe para kësaj lufte ishin dy vendet më të varfra në Evropë. Në rast se ngjarjet do të ndiqnin skenarin, të cilit i frikësohen shumë njerëz në Perëndim, atë të aneksimit të Transnistrias nga Rusia, frika për hapjen e një fronti të dytë në luftën në Ukrainë do të bëhej menjëherë konkrete.

Rusia është në krizë në Detin e Zi, ku ka humbur 5 nga 13 luftanijet e flotës së saj. Por ajo e transformoi Krimenë, të ri-aneksuar në vitin 2014, në një fortesë, dhe prej andej i ka të gjithë mundësitë ta furnizojë Transnistrian me njerëz dhe armë, duke e kërcënuar Moldavinë e vogël dhe të dobët nga njëra anë.

Nga ana tjetër duke e sulmuar Odessa-n, që është pengesa e vërtetë për krijimin e Novorossiya (Rusia e Re) kaq shumë e dashur në Kremlin. Por dyshimi i vërtetë dhe më kryesore është ky: A ka vërtet Rusia forcën për të luftuar në dy fronte të tilla sfiduese, duke e ditur se zgjerimi i mëtejshëm ushtarak, do të shkaktonte sipas të gjitha gjasave ndryshimin e menjëhershëm të qëndrimit nga republikanët e SHBA-së, të cilët për momentin po mbajnë ende peng ndihmën e re ushtarake për Ukrainën? Këtë do të marrim vesh pas disa orësh.

Burimi: Il Giornale/Përshtati Gazeta Si

Shënim: Fulvio Scaglione është gazetar profesionist që nga viti 1957. Nga viti 2000 deri në vitin 2016 ka qenë zëvendësdrejtor i të përjavshmes “Famiglia Cristiana”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë