Vaksinimet kundër COVID-19 zvogëlojnë ndjeshëm mundësinë e një personi për të zhvilluar simptoma të rënda ose të shkojë në fatalitet nga infeksioni Sars-Cov-2.
Sipas ekspertëve ndërkombëtarë vaksinimi është tepër i rëndësishëm në një periudhë kur varianti Delta po dominon në të gjithë botën. Sipas tyre e vetmja shpresë për të anashkaluar sëmundshëmrinë e rëndë janë vaksinat.
Por vaksinat janë më pak efektive kundër variantit Delta sesa kundër variantit Alfa. Varianti Delta gjithashtu vazhdon të shkaktojë një numër të madh rastesh pavarësisht mbulesës vaksinale në çdo vend. Deri më tani ka pasur pak kërkime mbi rrezikun e transmetimit në komunitet të variantit Delta nga njerëzit e vaksinuar. Kohët e fundit, studiues nga Kolegji “Imperial” Londër dhe Universiteti i Oksfordit bashkëpunuan në një studim që heton transmetueshmërinë e variantit Delta midis individëve të vaksinuar brenda familjeve.
“Të kuptuarit e shkallës së sëmundshërisë nga varianti Delta është një prioritet për shëndetin publik. Duke kryer testime të përsëritura dhe të shpeshta nga kontaktet e rasteve të COVID-19, ne zbuluam se personat e vaksinuar mund të kalojnë infeksion brenda familjeve, duke përfshirë anëtarët e vaksinuar të familjes,” thotë Anika Singanagam, bashkë-autore e studimit.
Sipas saj të dhënat ofrojnë njohuri të rëndësishme për efektin e vaksinimit përballë varianteve të reja dhe konkretisht, pse varianti Delta po vazhdon të shkaktojë numra të lartë të rasteve COVID-19 në mbarë botën, madje edhe në vendet me shkallë të lartë vaksinimi.

“Masat e vazhdueshme të shëndetit publik për të frenuar transmetimin të tilla si mbajtja e maskave, distancimi social dhe testimi mbeten kështu të rëndësishme, edhe te individët e vaksinuar,” shtoi ajo.
Pavarësisht kësaj studiuesit zbuluan se tek të gjithë pjesëmarrësit ngarkesa ngarkesa virale u ul më shpejt tek ata që ishin plotësisht të vaksinuar pa pasur ndikim varianti me të cilin ishin prekur. Megjithatë, ata vunë në dukje se njerëzit e vaksinuar regjistruan ngarkesa të ngjashme virale maksimale me njerëzit e pavaksinuar.
Shpejtësia me të cilën njerëzit e vaksinuar mund të zvogëlojnë ngarkesën e tyre virale shpjegon se vaksinimi redukton shtrimin në spital.
“Është e njohur prej disa muajsh që njerëzit e vaksinuar plotësisht mund të infektohen brenda ambienteve shtëpiake, diçka që i atribuohet dobësimit të imunitetit kundër infeksionit dhe qarkullimit të variantit Delta. Rezultatet e këtij studimi nuk duken veçanërisht befasuese, por ato i shtohen asaj që dihet. Kështu brenda familjeve, përhapja e virusit mund të ndodhë edhe nëse të gjithë janë të vaksinuar, por më pak (rreth 50%) sesa kur anëtarët e familjes janë të pa vaksinuar. Një arsye për ndryshimin është se ngarkesat virale bien më shpejt tek njerëzit e vaksinuar, por thelbi mbetet tek reduktimi i mundësive për transmetimin e mëtejshëm,” tha John P. Moore, një profesor i mikrobiologjisë dhe imunologjisë në Kolegjin Mjekësor Weill Cornell.
Studiuesit arrijnë në përfundimin se vetëm vaksinat janë të pamjaftueshme për të parandaluar përhapjen e variantit Delta në familje. Ata thonë se si vaksinimi ashtu edhe ndërhyrjet jo farmakologjike, si mbajtja e maskave, do të mbeten vendimtare për kontrollin e pandemisë.
“Ky studim konfirmon se pavarësisht nëse është i vaksinuar apo jo, pasi një person infektohet me Covid, ai mund ta transmetojë atë te të tjerët edhe pse mundësitë janë të ulëta,” tha Jorge Luis Salinas, një profesor i mjekësisë në Universitetin Stanford.
Burimi:MedicalNews/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje