Nga Gazeta Si- Këtë dimër qarkullojnë në Shqipëri njëkohësisht tre lloje të viruseve të gripit: dy forma të gripit A, H1N1 dhe H3N2 si dhe gripi i tipit B.
Rritja e sëmundshmërisë në të gjitha grupmoshat ka shtuar fluksin e vizitave tek mjekët por edhe rastet e rënda në spitale. Sanatoriumi, Spitali Infektiv dhe Pediatria janë të mbingarkuar për shkak të rritjes së urgjencave dhe shtrimeve dhe deri më tani mbi 19 mijë persona në javë raportohen me grip nga Instituti i Shëndetit publik, por shifrat e sëmundshmërisë në popullatë janë shumë më të larta.
A është gripi më agresiv këtë vit, ka më shumë të prekur apo është më i transmetueshëm?
Mjekja mikrobiologe, Blerta Brati tregon për Gazetasi.al se virusi i gripit ka dy karakteristika: transmetueshmërinë dhe ashpërsinë, ku ashpërsia vlerësohet nga shkalla e shtrimit në spital dhe vdekshmëria pas kontraksionit të sëmundjes.
“Nuk mund të themi se është më agresiv këtë vit se vitet e tjera por këtë vit transmetueshmëria e virusit, domethënë përmasat e epidemisë, janë më të mëdha se vitin e kaluar”, thotë Brati, duke shtuar se meqë ka më shumë persona të prekur, spitalet janë pak të mbingarkuar.
“Kur ka një epidemi paksa të theksuar sezonale, ne shohim këtë lloj ngopjeje spitalore”.
Me përjashtim të vitit të Covid me izolimet, ka epidemi gripi që ndodhin çdo vit, të paktën qe nga 1984, kohe kur virusi ka filluar monitorimin.
Brati thotë se çdo dimër mund të vëzhgojmë një kulm epidemie, madhësia e së cilës ndryshon në varësi të vitit.
Kur madhësia e epidemisë, domethënë numri i njerëzve të prekur nga virusi, është më i madh, ajo ka të bëjë me 5 deri në 10% të popullsisë, ku 80 për qind e njerëzve që shkojnë në spital nuk janë të vaksinuar.
Kur vaksinohesh, je i mbrojtur nga format më të rënda.
“Mund të vaksinohesh dhe të marrësh grip, por përgjithësisht kur vaksinohesh nuk kalon ne forma serioze”, thotë Brati. Ajo shton se mbulimi vaksinal në tërësi mbetet i pamjaftueshëm përballë kësaj emidemie, sepse gripi nuk është konsideruar asnjëherë si një sëmundje shumë e rëndë nga shumica e njerëzve dhe si pasojë, disa nuk e bëjnë vaksinën e gripit.
“Nuk ka një ndjenjë graviteti, si kur ishte pandemia Covid, ku njerëzit vaksinoheshin masivisht sepse kishin shumë frikë”, thotë Brati.
Gjithashtu, tregon Mbrati, disa faktorë shpjegojnë virulencën e jashtëzakonshme të gripit këtë vit siç janë festat e fundvitit, anashkalimi i masave mbrojtëse, prekja e moshave të reja, që mbase s’janë përballur me virusin qarkullues më parë dhe nuk kanë imunitet, mutacioni i virusit dhe plakja e popullatës.
Rreziku i viruseve qëndron në origjinën e tyre dhe popullatat që prekin.
“Tek njerëzit, virusi i tipit B priret të prekë më shumë fëmijët, ndërsa virusi i tipit A prek të rriturit pak më shumë. H3N2 ndonjëherë është më i rëndë te njerëzit e moshuar. Megjithatë, lloji A është ai që mund të shkaktojë pandemi. Pa imunitet, njerëzit janë të prekshëm, por kur ata kanë imunitet, ai është shumë efektiv kundër gripit”, shpjegon mjekja mikrobiologe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.