Futboll

Transferimi te Laçi, Vllaznia “kërcënon” portierin

Vllaznia nuk e ka pritur mirë faktin që Alen Sherri ka firmosur me ekipin e Laçit. Portieri i talentuar arriti akordin me drejtuesit e klubit kurbinas, që zyrtarizoi afrimin e tij ditën e djeshme, por shkodranët duan që të paguhet taksat e formimit në klubin shkodran. Vllaznia tentoi t’i ndryshojë mendjen, duke i ofruar atij kushte financiare disa herë më të larta nga ato të sezonit të kaluar, ndonëse aktivizimi i tij nuk ka qenë i plotë.

‘’Në mënyrë të drejtpërdrejtë, drejtuesit më të lartë të klubit dhe sponsori i Klubit “Vllaznia”, kanë rritur ofertën financiare duke pritur një përgjigje deri në mesditën e sotme, por lojtari nuk ka dhënë asnjë përgjigje, në asnjë rrugë komunikimi të mundshme.

Në kushte të tilla deklarojmë se ndërpresim negociatat me lojtarin Sherri. Klubi Futbollit “Vllaznia” dhe sponsori i ekipit kanë përmbushur çdo detyrim ndaj lojtarit në fjalë, prandaj mbeten të vendosur për të kërkuar përmbushjen nga ana e tij të të gjitha detyrimeve të formimit ndaj klubit kuqeblu, sipas rregulloreve të FSHF-së, UEFA-s dhe FIFA-s“, lexohet në komunikatën e kuqebluve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë