Nga Ismini Lamb* – Ky vit shënoi 100-vjetorin e Traktatit të Lozanës, një nga marrëveshjet diplomatike më të rëndësishme në histori. Gjatë Luftës së Parë Botërore, aleatët premtuan t’i vendosnin udhëheqësit turq para përgjegjësisë për gjenocidin e tyre ndaj të krishterëve.
Por Traktati i Lozanës i vitit 1923 midis aleatëve dhe Turqisë bëri të kundërtën, duke e shpërblyer Turqinë me më shumë territore, dhe duke legjitimuar dhe lehtësuar spastrimin etnik të Turqisë ndaj atyre të krishterëve që kishin mbijetuar. Dhe në ato kushte, nuk ishte e habitshme që kjo qasje inkurajoi më shumë gjenocid dhe spastrim etnik gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Traktati i Lozanës u nënshkrua sepse nacionalistët turq, të udhëhequr nga Mustafa Kemal Ataturku, refuzuan të respektonin kushtet origjinale të paqes të nënshkruara nga qeveria e tyre. Ata vazhduan luftimet, i dëbuan forcat pushtuese aleate dhe përfunduan eliminimin e të krishterëve që kishin jetuar në Azinë e Vogël prej mijëra vitesh.
Gjermanët që jetonin nën reparacionet e ashpra të vendosura nga Aleatët mbajtën shënime. Kur Hitleri erdhi në pushtet imitoi turqit. E çarmatosi popullsinë hebreje, i stigmatizoi si të huaj të rrezikshëm, ua konfiskoi pronat, i largoi nga qendrat e banuara dhe më pas i vrau në masë.
Edhe pakicat e tjera etnike u dëbuan me forcë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, në një përpjekje për të krijuar popullsi fetare dhe etnikisht homogjene. Leksionet që na vijnë nga Traktati i Lozanës mbeten ende të rëndësishme. Pa mbajtur mend ngjarjet e kaluara, është e pamundur të kuptohet pse ndodhën ato, apo se si të parandalohet përsëritja e tmerreve të ngjashme në të ardhmen.
Një rast i tillë është dhuna aktuale në Lindjen e Mesme. Shumë tipare të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit, përsërisin ato të konfliktit që çoi tek Traktati i Lozanës. Synimet, strategjia, propaganda dhe fanatizmi fetar i Hamasit, janë shumë të ngjashme me ato të nacionalistëve të Kemal Ataturkut.
Qëllimet
Mbrojtësit e Turqisë, thanë në atë kohë se turqit po luftonin një “luftë për pavarësi” dhe e quajtën Kemalin “Xhorxh Uashingtonin” turk. E vërteta është se pavarësia e Turqisë nuk ishte asnjëherë në rrezik. Traktati që i parapriu Traktatit të Lozanës, garantonte gjithashtu sovranitetin turk mbi pjesën më të madhe të Azisë së Vogël.
Por nacionalistët turq donin më shumë territore, dhe vdekur ose të dëbuar të gjithë të krishterët që banonin në të. Ata u premtuan mbështetësve se do të “vendosnin kufijtë e Turqisë sipas shkallës së fuqisë dhe forcës sonë”, dhe kësisoj vazhduan të eliminonin pakicat e krishtera të Turqisë edhe kur ishin duke negociuar traktatin e tyre të ri në Lozanë.
Dhe Kemal Ataturku nuk ishte Xhorxh Uashingtoni. Ai donte pushtet, dhe refuzoi ta ndante atë me të tjerët. Brenda 2 viteve nga nënshkrimi i Traktatit të Lozanës, ai kishte siguruar sundimin e tij absolut dhe nuk hoqi kurrë dorë prej pushtetit. Ngjashëm, Hamasi nuk po lufton sot për lirinë e Palestinës.
Banorët e Gazës, votuan vërtet Hamasin të ngjitej në pushtet 17 vjet më parë, por më pas ai nuk lejoi më zhvillimin e zgjedhjeve të tjera. Myslimanët në Izrael, kanë më shumë liri se ata që jetojnë nën Hamasin.
Kushdo që “dëshiron të marrë frymë i lirë”, do të ishte më mirë në Izrael, demokracia e vetme në rajon në një hapësirë të gjerë vendesh përreth të kontrolluara nga qeveritë myslimane, që nuk kanë liri fetare apo liri të garantuara civile. Më pak fjalë, Hamasi po lufton për të njëjtën gjë që bënë turqit:territorin dhe eliminimin e të gjithë jo-myslimanëve që banojnë në të.
Strategjia
Hamasi nuk mund ta mposhtë dot Izraelin ushtarakisht, por shpreson të arrijë fitoren duke e izoluar Izraelin. Ai synon që kombet e tjera ta frenojnë Izraelin dhe ta detyrojnë atë të negociojë. Në mënyrë të ngjashme, 100 vjet më parë, nacionalistët turq të Kemal Ataturkut nuk mund të krahasoheshin me aleatët në nivelin ushtarak.
Megjithatë ata arritën të siguronin fitoren duke izoluar kundërshtarin e tyre të madh ushtarak: Greqinë. Të gjitha forcat aleate në Azinë e Vogël u përplasën me nacionalistët e Kemalit: grekët në Smirna (maj 1919); francezët në Marash (shkurt 1920); britanikët në Ismid (qershor 1920); dhe republika armene e sapoformuar (shtator 1920).
Por shumica e forcave aleate ishin greke, sepse trupat amerikane, britanike dhe franceze po mbanin të pushtuar Gjermaninë. Udhëheqësit aleatë i kërkuan Greqisë të dërgonte trupa në Azinë e Vogël. Dhe grekët ishin të lumtur ta bënin këtë, sepse donin të mbronin grekët e terrorizuar nga turqit para dhe gjatë luftës, por edhe duke shpresuar të siguronin territorin rreth Smirnës (Izmirin e sotëm), që në atë kohë banohej nga 3 herë më shumë grekë sesa Athina.
Gjatë viteve 1919-1920, grekët i mposhtën forcat nacionaliste turke në Traki, Joni dhe afër Stambollit. Për të ndryshuar fatin e luftës, Kemali u detyrua të përçante forcat aleate. Nxitja e mosmarrëveshjeve midis kombeve perëndimore, kishte qenë një element kryesor i diplomacisë turke për shekuj me radhë dhe ajo funksionoi sërish.
Duke besuar se nuk ishin kompensuar siç duhet për kontributin e tyre në Luftën e Parë Botërore, italianët tradhtuan ish-partnerët e tyre grekë dhe ndihmuan turqit. Edhe Franca, xheloze për ndikimin britanik në rajon, ndërroi anë. Rusia, e kontrolluar rishtazi nga bolshevikët dhe e lumtur të dëmtonte fuqitë perëndimore, i dha gjithashtu mbështetje Kemalit.
Më pas edhe Britania i ktheu shpinën Greqisë, duke besuar se kishte nevojë për Francën dhe Italinë si aleatë më shumë se sa helenët (një supozim që u tregua i gabuar gjatë Luftës së Dytë Botërore). Në fund edhe SHBA-ja bëri të njëjtën gjë, duke e lënë Greqinë totalisht të izoluar.
Në betejën vendimtare tre-ditore të Sakarias në vitin 1921, forcat greke luftuan derisa iu mbaruan municionet dhe u detyruan të tërhiqen. Nëse aleatët do ta kishin furnizuar Greqisë, apo edhe thjesht nuk do të ndihmonin Kemalin, ka të ngjarë që fitorja të kishte shkuar në anën tjetër.
E njëjta gjë vlen edhe për konfliktin aktual Izrael-Hamas. Vendet perëndimore po e dëmtojnë Izraelin duke i lehtësuar sanksionet ndaj Iranit, duke e lejuar këtë të fundit të financojë terrorin e Hamasit, dhe tani ata po i bëjnë presion Izraelit që të ndërpresë operacionet ushtarake. Ashtu si Greqia dikur, Izraeli duhet të ruajë të paktën mbështetjen pasive të aleatëve të tij. Përndryshe, nuk do të dominojë atë që është e sigurt se do të jetë një luftë e vazhdueshme.
Propaganda
Një propagandë e madhe përgatiti terrenin për diplomacinë turke, që në fund imponoi tërheqjen e forcave greke. Mustafa Kemali i akuzoi aleatët për gjenocid kundër myslimanëve, por e vërteta ishte krejtësisht e kundërta. Kur u nënshkrua Traktati i Lozanës më 24 korrik 1923, turqit kishin vrarë midis 1.5-2.5 milionë të krishterë dhe kishin detyruar një numër edhe më të madh të largoheshin nga shtëpitë e tyre për të shpëtuar jetën.
Ngjashëm propaganda e Hamasit e shtrembëron realitetin, duke akuzuar Izraelin për gjenocidin që po kryhet nga Hamas. Hamasi mburret dhe madje filmon vrasjet, përdhunimet, prerjen e kokave, gjymtimin dhe djegien e gjallë të civilëve të pafajshëm izraelitë, përfshirë edhe foshnjat.
Pastaj i përdor civilët palestinezë si mburoja gjatë operacioneve të vetëmbrojtjes së Izraelit për të shkaktuar viktima në mesin e popullatës së vet. Si nacionalistët turq ashtu edhe Hamasi, i keqinterpretojnë qëllimet e tyre. Propagandistët e Kemalit i thanë botës sloganin e tyre, “Turqia për turqit”, gjë që do të thoshte se ata donin lirinë dhe çlirimin nga dominimi i huaj.
Edhe avokatët e Hamasit pretendojnë se slogani i tij është një thirrje për liri:”Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë!”. Por, siç e pranojnë udhëheqësit e Hamasit, kjo do të thotë të njëjtën gjë që nënkuptonte slogani i Kemalit eliminimin e plotë të çdo shteti jo-mysliman dhe i popullatës së tij nga territori që lakmojnë. Ata premtojnë të vazhdojnë të sulmojnë derisa Izraeli dhe izraelitët të mos ekzistojnë më.
Fanatizmi fetar
Ngjashmëria tjetër, që nuk mund të anashkalohet është sadizmi i plotë i nacionalistëve turq dhe Hamasit. Turqit vranë, përdhunuan dhe terrorizuan viktimat e tyre me një mizori të papërshkrueshme. Vetë Kemali Ataturku i inkurajoi mizoritë, duke u siguruar që “turqit që vrisnin më shumë të merrnin shpërblimet më të mëdha”:
“Shumë nga të krishterët e vrarë u vranë me thika, bajoneta, sëpata dhe gurë; mijëra u dogjën të gjallë…; dhjetëra mijëra gra dhe vajza u përdhunuan dhe u vranë në grup; klerikët u kryqëzuan; dhe mijëra personalitete të krishtera u torturuan, iu nxorën sytë, iu prenë hundët dhe veshët, përpara se të ekzekutoheshin” (Nga libri “30 vjet gjenocidi:Shkatërrimi i pakicave të saj të krishtera nga Turqia, 1894-1924”)..
Udhëheqësit perëndimorë shqetësohen për “islamofobinë”, por janë të krishterët në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe vende të tjera muslimane, ata që shpesh persekutohen, digjen dhe torturohen deri në vdekje, dhe jo e kundërta. Eskili tha dikur se “në një luftë, viktima e parë është e vërteta”. Por e vërtete është ndoshta e kundërta, dhe hapi i parë drejt paqes është përqafimi i së vërtetës. Në rastin e Lindjes së Mesme, e vërteta për Traktatin e Lozanës, është një vend i mirë për t’ia filluar.
Burimi: Kathimerini/ Përshtati: Gazeta Si
*Ismini Lamb është drejtoreshë e Programit të Studimeve Moderne Greke në Universitetin Xhorxhtaun në SHBA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.