Shendet

Trajtimi me deksametazon për COVID-19/ Studimi: Përfitimet janë më të mëdha se rreziqet

Me fillimin e pandemisë së Covid-19, klinicistët dhe studiuesit u përpoqën të gjenin terapi efektive për të. Përvoja e hershme klinike tregoi që administrimi i steroideve të fuqishëm përmirëson rezultatet tek njerëzit me COVID-19 që kanë nevojë për oksigjen ose ventilim mekanik. Megjithatë, steroidet kanë efekte anësore negative, duke përfshirë nivele të larta të glukozës në gjak. Në individët me dhe pa një histori diabeti, kjo mund të rezultojë në komplikime afatshkurtra dhe afatgjata, të tilla si një rritje e rrezikut të infeksionit ose çekuilibër metabolik. Studiuesit publikuan rezultatet në një konferencë e “Shoqatës për Endokrinologjinë e Nëntorit 2021”, pasi vëzhguan një grup të madh njerëzish me COVID-19 duke marrë trajtim me deksametazon, një steroid që mjekët përdorin për të trajtuar pacientët me inflamacion të mushkërive.
Victoria Salem, një nga studiueset kryesore tha se deksametazoni tani është standard i kujdesit për pacientët e shtruar në spital me COVID-19 që kërkojnë oksigjen.
“Ne pamë mbi 2,000 pacientë të shtruar në spital me COVID-19 në spitalin tonë në Londër dhe kryem një analizë të shumëllojshme të faktorëve të rrezikut për vdekje. Tashmë dihet se diabeti është një faktor rreziku për COVID-in e rëndë. Sheqeri i lartë në gjak është gjithashtu një parashikues i rezultateve të këqija. Meqenëse ilaçi rrit sheqerin në gjak, ne ishim të shqetësuar se do të ishte thikë me dy tehe për pacientët me diabet, por, në fakt, doli të ishte po aq efektiv,” tha Salem.
Për të kuptuar efektet e deksametazonit, studiuesit u përqëndruan në numrin e pacientëve në terapi intensive, uljen e vdekshmërisë dhe komplikimet e lidhura me steroidet në 2,261 pacientë të shtruar në spitalet e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar në Londër.

Foto ilustruese

Ekipi i ndau të dhënat nga individët e shtruar në spital me COVID-19 në dy grupe: Grupi i parë përbëhej nga 889 njerëz të shtruar në spital midis marsit dhe prillit 2020, kur mjekët nuk përshkruanin në mënyrë të vazhdueshme deksametazonin dhe grupi i dytë përbëhej nga 1,372 individë të pranuar midis nëntorit 2020 dhe janarit 2021, të cilët morën deksametazon vazhdimisht.
Studimi zbuloi se njerëzit kishin më pak gjasa të pranoheshin në terapi intensive në grupin e dytë (18.8%) krahasuar me 27.6% në grupin e parë. Gjithashtu pati një ulje të vdekshmërisë në valën e dytë, me një rrezik të reduktuar të vdekjes me 31.8%.
Në grupin e dytë dekzametazoni u përdor në 68% të pacientëve në spitalin tonë me diagnozë COVID-19, 35% e të cilëve kishin diabet. Nga pacientët e trajtuar me deksametazon për COVID, 19% zhvilluan hiperglicemi (sheqere të lartë në gjak) që kërkonte trajtim shtesë.
Salem sqaroi se kjo shifër e “botës reale” është shumë më e lartë se rezultati që raportoi studimi origjinal
“Pra, 21 njerëz nga 935 (2%) që u dhanë dexamethasone për [COVID-19] zhvilluan diabetin e induktuar nga steroidet,”shtoi ajo.
Trajtimi me Dexamethasone uli rrezikun e vdekjes ose pranimit në terapi intesive në pjesëmarrësit e studimit me 56%.
“Diabeti i shkaktuar nga deksametazon shpesh përfundon kur trajtimi ndërpritet. Ai shton një barrë për sa i përket menaxhimit dhe ndjekjes, por duke pasur parasysh përfitimet e përgjithshme në drejtim të rikuperimit nga COVID-19, medikamenti është efikas,” shton ekspertja.
Mesazhi i studimit është se ilaçi uli rrezikun e vdekjes dhe pranimin në terapi intensive dhe duhet ë përdoret për një rikuperim më të shpejtë të pacientëve.
Burimi:MedicalNews/Përshtati:Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë