Nga Gazeta ‘Si’ – Vdekja më 16 shkurt e disidentit rus Alexei Navalny në burgun siberian IK-3, ka risjellë në vëmendjen e opinionit publik botëror kushtet shumë të ashpra dhe shpeshherë çnjerëzore në të cilat jetojnë të burgosurit në Rusi, dhe sidomos të burgosurit politikë.
Pas fillimit të luftës në Ukrainë, regjimi i Vladimir Putinit e përshkallëzoi shtypjen e kundërshtarëve. Kështu u bë më e lehtë burgosja për motive politike. U shumëfishuan krimet dhe dënimet, u shtua kohëzgjatja e dënimeve dhe u përkeqësuan më tej kushtet e paraburgimit, me një reduktim të mëtejshëm të të drejtave tashmë minimale të të burgosurve.
Sipas vlerësimeve nga organizata të ndryshme joqeveritare, sot në burgjet ruse ndodhen 700-1000 të burgosur për arsye politike ose fetare. Në Rusi ekzistojnë 7000 burgje, të cilat mund të ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri sa i përket nivelit të sigurisë, izolimit dhe vendndodhjes gjeografike.
Zakonisht disidentët dhe të burgosurit politikë, përfundojnë në burgjet e sigurisë maksimale, pra në ato ku kushtet janë nga më të këqijat. Disa nga kolonitë ndëshkimore, si ajo ku u ndalua Navalny, u ndërtuan në të njëjtat vende ku ndodheshin dikur gulagët, kampet e punës së detyruar për kundërshtarët politikë rusë të regjimit sovjetik.
Me kalimin e viteve, nga historitë e ish-të burgosurve, ankesat e avokatëve të të dënuarve dhe letrat e atyre që janë mbyllur aty (përfshirë ato të Navalny-t), është bërë e mundur të rindërtohet jeta e përditshme brenda këtyre burgjeve.
Shpeshherë metodat e përdorura për të thyer rezistencën e disidentëve, janë të krahasueshme me torturën: ato përfshijnë dhunën fizike dhe psikologjike, izolimin, privimin nga ushqimi dhe gjumin, të ftohtin dhe mungesën totale të ndihmës mjekësore. Siç konfirmohet edhe nga vdekja e Navalny-t, në shumë raste ajo që vihet në rrezik të madh është vetë mbijetesa e të burgosurve.
Grigory Vaypan, avokat i organizatës Memorial, e themeluar enkas për të dokumentuar represionin e Bashkimit Sovjetik dhe sot e angazhuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut, tha për agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press:”Askush nuk është i sigurt në sistemin e burgjeve ruse. Për të burgosurit politikë, situata është shpeshherë më e keqe, pasi regjimi dëshiron që t’i ndëshkojë më tej, t’i izolojë nga bota dhe të bëjë gjithçka për t’i dërrmuar shpirtërisht”.
Vetë Shërbimi Penitenciar Federal rus, pranon ndodhjen e 1400-2000 vdekjeve çdo vit (në 5 vitet e fundit, nga 650 mijë të burgosur gjithsej). Në shumicën e rasteve, shkaku zyrtar është arresti kardiak (pushim zemre), një formulim që sipas avokatëve mund të fshehin çdo lloj shkaku të vërtetë, nga vetëvrasja deri te vdekja pas një rrahjeje brutale.
Ndërtesat e këtyre burgjeve janë kryesisht shumë të vjetra. Qelitë mund të jenë dhoma kolektive të mbushura me krevate marinari, shumë të mbipopulluara apo me dhoma izolimi, në të cilat të burgosurit kalojnë periudha shumë të gjata pa parë askënd dhe pa dalë kurrë në ajrim, përveç gjysmë dite në një korridor shumë të vogël.

Navalny e përshkroi qelinë e tij të izolimit si një dhomë me përmasa 2 e gjysmë me 3 metra, me mure betoni dhe me një dritare të vogël (edhe pse jo gjithmonë e pranishme). Banja ishte një vrimë në dysheme, dysheku vendosej pas murit kur zgjohej, dhe nuk mund ta përdorte gjatë ditës. Nuk lehojey asnjë mobilie tjetër.
Bashkëshortja e Vladimir Kara-Murza, një gazetar dhe politikan opozitar rus, tha se një ditë një dollap i vogël u vendos pa asgjë shpjegim në qelinë e burrit të saj, duke zvogëluar më tej hapësirën që ka në dispozicion. Si shumë të burgosur politikë, Kara-Murza nuk ka të drejtë të ketë objekte të tjera përveç furçës së dhëmbëve dhe filxhanit të çajit.
Sipas ligjit rus, të burgosurit nuk mund të qëndrojnë për më shumë se 15 ditë radhazi në izolim. Megjithatë kjo është bërë një praktikë e zakonshme. Disidentët rikthehen për pak ditë në qelitë normale. Më pas ri-dënohen me 15 ditë të tjera izolim për arsye shpesh të çuditshme.
Nga 1.126 ditët që kaloi në burg, Navalny u dërgua 27 herë në izolim, dhe ndër arsyet ishin mos-veshja si duhet uniformës së burgut apo mos-zbatimi i urdhrave kontradiktore apo të pakuptueshme.

Edhe caktimi i shokëve të qelisë mund të jetë një mënyrë për të përdorur ndëshkimet e mëtejshme.
Në burgjet e sigurisë maksimale, përveç të burgosurve politikë, ka edhe të dënuar për vrasje, krime të dhunshme apo krime seksuale. Çrregullimet mendore janë të shpeshta, të mëparshme apo të shkaktuara nga paraburgimi. Navalny tregonte se 2 nga shokët e tij të fundit të qelisë, ishin një burrë që “bërtiste për 14 orë gjatë ditës, dhe 3 orë gjatë natës” dhe një tjetër që kishte “probleme të mëdha me higjienën personale”, një kusht i rrezikshëm për shëndetin mendor, duke pasur parasysh bashkëjetesën në hapësira të mbyllura.
Kushtet mjedisore, janë një faktor tjetër që e bën burgimin shumë të vështirë dhe shumë pranë torturës. Shumë burgje ndodhen në zona gjeografike të karakterizuara nga një klimë shumë e ashpër në dimër dhe shumë e nxehtë në verë. Temperaturat në muajt e dimrit mund të arrijnë deri në -30°.
Megjithatë të burgosurit detyrohen t’i përballojnë me pallto të lehta prej lëkure dhe me kokore. Në verë, përveç temperaturave të larta, të burgosurit duhet të përballen edhe një numër të madh mushkonjash dhe insektesh. Për këtë arsye shfrytëzimi i mundësisë për të shëtitur jashtë në oborr për gjysmë ore në ditë, mund të jetë jo pak sfidues.

Ditët organizohen nga një orar shumë strikt, dhe nga pamundësia për të zgjedhur mënyrën e përdorimit të kohës. Zgjimi ndodh në orën 5:00 të mëngjesit, në disa raste me luajtjen me zë të lartë të himnit rus dhe këngëve patriotike, ndërsa në mbrëmje dritat në qeli fiken që në orën 21.
Gruaja e Andrei Pivovarov, një tjetër disident i regjimit, thotë se burri i saj u detyrua të pastronte dhomën e tij për disa orë, dhe t’i kalonte orët e tjera duke dëgjuar rregulloret e burgut. Navalny tha se kishte vetëm 30 minuta në ditë për të shkruar letra dhe për të ngrënë mëngjes:shpeshherë i duhej të zgjidhte mes njërës dhe tjetrës.
Në disa raste, të burgosurve u kërkohet të punojnë për një pagë për orë pune, e cila është shumë më e ulët se paga minimale në Rusi. Gratë punësohen për të qepur uniformat e punonjësve të ushtrisë, policisë dhe sektorit të ndërtimit.
Nadya Tolokonnikova, pjesëtare e grupit muzikor Pussy Riot, e cila vuajti gati 2 vite burg gjatë viteve 2012-2013, tregon se turnet e punës mund të zgjasin 16-18 orë:”Ishte një sistem skllavërues dhe i tmerrshëm”- kujton ajo.
Ushqimi përshkruhet si gati gjithmonë si i keq dhe i pamjaftueshëm. Zakonisht në mëngjes u jepet qull, ndërsa dreka dhe darka bazohet tek supa, patatet e ziera dhe një kotoletë mishi apo peshku. Është thuajse e pamundur që një i burgosur të ushqehet mjaftueshëm vetëm me racionet që u jepen.
Atyre u lejohet të blejnë ushqim shtesë, ose ta marrin familja, por kjo mundësi u mohohet atyre që janë nën “dënim” për ndonjë thyerje disiplinore. Kujdesi mjekësor është gjithashtu i pamjaftueshëm, dhe nga njëherë mungon plotësisht. Infermieria ka kryesisht antiseptikë, qetësues dhe ilaçet bazë.

Por sëmundjet kronike, madje edhe ato serioze, anashkalohen vazhdimisht, teksa kërkesat për ndihmë trajtohen pothuajse gjithmonë si përpjekje për t’i shpëtuar dhimbjes ose për ta lehtësuar atë. Në burgjet ruse, është normë përdorimi i shpeshtë i dhunës nga gardianët, të cilët në disa situata gëzojnë një pushtet pothuajse absolut mbi të burgosurit.Izolimi ekstrem dhe kontaktet e pakta me jashtë, zvogëlojnë mundësinë për të ditur se çfarë ndodh në të vërtetë brenda burgjeve. Por herë pas here ka dëshmi për rrahje dhe tortura.
Kushtet aktuale në burgjet më famëkeqe, nuk janë shumë larg atyre të së shkuarës. Rusia ka pasur shpesh burgje me kushte çnjerëzore. Që në vitin 1862 Fyodor Dostoevsky i etiketoi burgjet ruse si një nga “agjentët më të fuqishëm shkatërrues të shoqërisë sonë” (në romanin Kujtime nga Shtëpia e të Vdekurve). Sistemi sovjetik i gulagëve, është përshkruar nga shkrimtari tjetër i epokës sovjetike Aleksandr Solzhenitsyn në romanet “Një ditë nga jeta e Ivan Denisovich” dhe “Arkipelagu Gulag”.
Burimi: Il Post/ Përshtati: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




