Me përjashtim të ndonjë rezerve të vogël, trajneri Edi Reja është mjaft i kënaqur për atë që Kombëtarja dha në fushë. Pas ndeshjes italiani u shpreh i kënaqur, pasi një fitore në transfertë dhe ndaj një rivali direkt është shumë e rëndësishme për objektivin e vendit të parë në grup.
“Objektivi ynë ishte të fitonim ndeshjen dhe ia arritëm qëllimit. Pjesa e parë ishte më e mirë, kurse në pjesën e dytë patëm probleme fizike dhe e ulëm ritmin. E rëndësishme është që fituam dhe tani na duhet të vazhdojmë kështu. Pas tri ditësh kemi Lituaninë, do të jetë e vështirë të rikuperojmë forcat. Do të shoh gjendjen e lojtarëve dhe më pas do të vendosim si do të luajmë. Uroj të luajmë si në pjesën e parë ndaj Bjellorusisë.

Trashi dhe Gjimshiti kanë probleme, por shpresoj të rikuperojmë sa më shumë forca për ndeshjen e ardhshme. Më pëlqeu më shumë mbrojtja, sepse luajti mirë gjatë gjithë kohës, kurse sulmi pati oshilacione. Më pëlqyen shumë Abrashi, Bare dhe Trashi që sakrifikuan shumë dhe bënë shumë kilometra. Mund të ketë ndonjë debutim ndaj Lituanisë, por të shohim. Jam shumë krenar që jam pjesë e kësaj skuadre dhe që drejtoj këta djem që japin shpirtin në fushë. Kazakistani fitoi në Lituani dhe kjo do të thotë se nuk është e lehtë rruga. Kemi edhe mungesat e Kumbullës dhe Ismajlit”, – tha mes të tjerash trajneri Reja pas fitores në Minsk.
Trajneri italian komentoi dhe skemën e lojës: “Ne luajmë me skemën 3-5-2, nuk luajmë vetëm me 3 mbrojtës, pasi kur mbrohemi kthehemi në 5 mbrojtës, bashkë me Hysajn dhe Trashin. Bjellorusia ka luajtur gjatë gjithë kohës me 4 sulmues dhe unë futa 3 mbrojtës në qendër, pasi kundërshtari ishte shumë i fortë në luftën në ajër dhe duhet të merrja masat për të shmangur pësimin e ndonjë goli nga kroset. Nuk isha i kënaqur me sulmuesit në fillim, pasi ulën presionin. Kur Bjellorusia sulmonte, sulmuesit tanë nuk po e ndihmonin mesfushën. Zëvendësimet na ndihmuan shumë”.

Cikalleshi: Me Manajn kemi gjetur njëri-tjetrin
I lumtur për golin, por gjithmonë me këmbë në tokë ëpr objektivin. Sulmuesi Sokol Cikalleshi, autori i golit të parë ndaj Bjellorusisë, pas ndeshjes theksoi: “Pas rikthimit nga një kohë e gjatë nga situata e Koronavirusit, ishte e vështirë kjo ndeshje. Gjendja jonë fizike nuk ishte në nivelin e duhur. Jam shumë i lumtur që i hapa rrugën fitores, ky ishte kundërshtari ynë më i vështirë për vendin e parë. Kemi bërë gjysmën e punës me këtë fitore në një ndeshje shumë të rëndësishme. Ndeshja e parë i jep moral ekipit, na bën të përqendrohemi. Me ekipet e dobëta kemi hasur vështirësi, por uroj që pas 3 ditësh të fitojmë përsëri.
Çdo lojtar i ri është në të mirë të Kombëtares. Në momentin kur rritet konkurrenca, të gjithë japin maksimumin. Uroj të bëjnë hapat e duhur dhe ta ndihmojnë Kombëtaren, që nuk është e askujt, por e të gjithëve. Me Manajn kemi bërë mjaft mirë, me këtë modul të ri kemi gjetur njëri-tjetrin dhe kam arritur të shënoj. E thashë, kjo është gjysma e punës, gjysmën tjetër do e kemi mbas 3 ditësh. Të gjithë ata që do të jenë në fushë, do të jenë luanë dhe do të japin më të mirën.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




