Futboll

Trajneri i Islandës flet pas shortit: Kosova kundërshtar i vështirë, por duam të qëndrojmë në Ligën B

Përzgjedhësi i Islandës, norvegjezi Age Hareide, e ka vlerësuar lart potencialin e Kosovës pas shortit për një vend në Ligën B të Kombeve.

Kosova dhe Islanda do të ballafaqohen në play-off për inkuadrim në Ligën B, ku ndeshja e parë zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 20 mars të vitit të ardhshëm, ndërsa tri ditë më vonë ndeshja kthyese zhvillohet në Islandë.

“Nuk ka diferencë të madhe ndërmjet shumicës së skuadrave të Ligës B dhe C. Për ne është e rëndësishme të qëndrojmë në Ligën B dhe për ta bërë këtë, duhet t’i kemi dy paraqitje të mira ndaj një kundërshtari të vështirë”.

“Natyrisht, do të doja që ndeshja të luhet në Reykjavik, por kjo për fat të keq është e pamundur. Kemi një grup të mirë të lojtarëve dhe shpresoj se të gjithë do të jenë të gatshëm për të luajtur në muajin mars”, ka thënë Hareide për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Islandës.

Më herët edhe kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe përzgjedhësi i Kombëtares Kosovare, Franco Foda kanë dhënë opinionet e tyre mbi përballjen me Islandën në ndeshjen ‘play-off’ për promovim në Ligën B të Ligës së Kombeve. Ademi, e vlerësoi shortin si korrekt dhe pret që kësaj radhe Kosova të tregohet më e suksesshme se sa Islanda.

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda

“Shorti e konsideroj korrekt edhe pse me Islandën i kemi zhvilluar dy ndeshje, të dyja i kemi humbur, por tashmë është një format tjetër i ekipit tonë dhe unë vetëm uroj që futbollistët tanë të jenë me kondicion të mirë dhe shëndet të mirë, mos të ketë të lënduar dhe sigurisht as të dënuar me kartonë”, ka thënë fillimisht Ademi pas shortit.

Foda shprehu optimizmin e tij për këtë përballje edhe pse sipas tij shanset janë të barabarta.

“Nuk kishim asnjë ndikim në shortin e hedhur. Por, tani jemi të lumtur për ndeshjen kundër Islandës. Unë personalisht nuk kam qenë kurrë në Islandë dhe Islanda ka një skuadër të fortë. Por edhe ne, me kombëtaren tonë, jemi aktualisht në një formë shumë të mirë, në gjendje shumë të mirë”.

“Mendoj se shanset janë 50-50 dhe do të bëjmë gjithçka për të kaluar në Grupin B”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës. /Telegraf


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë