Në “Elbasan Arena” do të jetë një sfidë italianësh në stol, Edi Reja në krye të Shqipërisë përballë Marko Rosit në krye të Hungarisë. Të dyja skuadrat vijnë pas humbjeve të thella, me nga 4 gola të pësuar. Ndryshim i vetëm është se kuqezinjtë shënuan në Poloni, kurse hungarezët jo ndaj Anglisë.
Objektivi është i njëjtë, fitore për të mbajtur të hapura shpresat e një kualifikimi të mundshëm. Trajneri i Hungarisë, Marko Rosi, në konferencë shtypi u shpreh se e ka të qartë se çfarë e pret skuadrën e tij në Elbasan. “Do të jetë një ndeshje ndryshe nga ajo me Anglinë, sigurisht. Pësuam një humbje ndaj një prej ekipeve më të mira në botë, por nuk më pëlqen të ankohem.
Edhe Shqipëria vjen pas humbjes në Poloni, por dua të them se rezultati nuk pasqyron lojën. Shqipëria ishte pa fat, pastaj Levandovski mund të vendosë ndeshjen në pak sekonda. Ishte ai personazhi kryesor.
Nuk kemi dyshim se ndeshja e së dielës do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, ishim të vetëdijshëm që në momentin e shortit. Nuk kam pse të hyj në detaje, të dyja palët duan ta fitojnë ndeshjen. Loja mund të jetë e balancuar dhe nuk do të jetë e lehtë për të marrë tre pikët. Lojtarët tuaj luajnë në liga të forta, njoh edhe trajnerin Edoardo Reja, është një mik i mirë i imi. I respektoj shqiptarët, e di çfarë mund të bëjnë, por duam të fitojmë”, – tha trajneri Rosi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




