Kombetarja

Trajneri i Atalantës jep lajmin e mirë: Berat Gjimshiti është gati

Berat Gjimshiti ishte pa fat në ndeshjen e Shqiëprisë në Budapest, ku theu dorën gjatë një rrëzimi dhe la fushën që në pjesën e parë. Iu nënshtrua menjëherë operacionit në Itali dhe mungoi ndaj Polonisë në Tiranë, ku kuqezinjtë u mundën 0-1 dhe humbën edhe vendin e dytë në grup.

Por mbrojtësi shtatlartë mund të jetë gati për ndeshjet e fundit në grup, pasi e ka lënë pas dëmtimin. E ka konfirmuar këtë gjë trajneri i Atalantës, Gasperini, në një konferencë shtypi, ku ka theksuar: “Gjimshiti e ka kaluar dëmtimin, nuk ka më problem, por e kam lënë në dorën e tij rikthimin, kur ta ndjejë veten plotësisht gati”.

Berat Gjimshiti me fanellen e Atalantes. Gazeta Si, 29 tetor 2021

Gjimshiti do të ishte i rëndësishëm për ndeshjen me Anglinë në transfertë. Shqipëria ka ende shanse matematikore për vendin e dytë, por shumë pak shpresa. Gjithsesi, objektivi është për ta mbyllur fazën kualifikuese të Botërorit me rezultate sa më të mira. Dhe për këtë duhet përvoja ndërkombëtare e Berat Gjimshitit, i cili u dëmtua në formën e tij më të mirë. Trajneri Reja mund ta llogarisë ndaj Anglisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë