Futboll

Trajneri i Anglisë: Shqipëria e vështirë për t’u thyer, ka një mbrojtje të mirë

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, ka folur në konferencën për shtyp përpara udhëtimit për në Shqipëri. “Tre luanët” do të përballen kundër kuqezinjve në 18:00 gjatë ditës së diel. Ai nuk dëshiron hapa falsë në fushatën eliminatore prandaj ka vendosur t’ia besojë ndeshjen formacionit më të mirë të mundshëm. Përpara udhëtimit drejt Tiranës, titullari i stolit të Anglisë foli gjatë për transfertën e Shqipërisë duke konfirmuar kuqezinjtë si kundërshtar i vështirë dhe se e njeh trajnerin Edy Reja.

“Do të jetë ndeshje e vështirë për mënyrën sesi do të luhet kundër Shqipërisë. Do të luajmë kundër një trajneri italian dhe ju e dini sesi luajnë trajnerët italianë me mbrojtjen. Skema e tyre është me 3-5-2. Kanë një organizim dhe mbrojtje të mirë, luajnë mirë me topin, por ne do të bëjmë gjithçka për të fituar si gjithmonë.”

Ndërkohë kur flitet për problemet me fushën te “Air Albania”, Southgate nuk ka asnjë ankesë. 50-vjeçari është i informuar që në të shkuarën ka pasur probleme, ndërsa këtë e theksoi edhe në konferencën e tij.

“Stadiumi(Air Albania) është shumë i mirë, ka pasur disa probleme me fushën, por si ndodhi me Wembley-n kur u hap. Kanë punuar për ta rregulluar problemin dhe do të jetë gati. Do të jetë e vështirë për ta thyer Shqipërinë. Të rreshtuar në mbrojtje, por kanë elemente të mirë në fushë dhe sulm të rrezikshëm. Për këtë arsye duhet të bëjmë presion të vazhdueshëm dhe mentaliteti ynë mbetet i njëjtë”, ka thënë Southgate.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë