Futboll

Trajnerët më të mirë… pa punë

Rezultatet e dobëta janë të pafalshme dhe për këtë arsye trajnerët janë gjithnjë me valixhe në dorë. Kjo mund të shpjegojë pse shpesh trajnerë elitarë qëndrojnë në listën e pritjes për një skuadër. Muajt e shkuar pamë Anglinë dhe Manchester United të vendosin nën kontratë Thomas Tuchel dhe Ruben Amorim respektivisht. Gjatë këtyre ditëve Sean Dyche u largua nga Everton dhe Julen Lopetegui u shkarkua nga West Ham United. Në vend të tyre Graham Potter u emërua te West Ham dhe David Moyes kthehet te Everton.

Në vazhdim do t’ju njohim me 10 trajnerët më të mirë që aktualisht janë pa punë:

10. Paulo Fonseca
Portugezi nuk kaloi javët më të mira tek Milan por është ende një trajner të cilit mund t’i besohet. Paulo Fonseca nuk u përshtat me presionin specifik tek Milan, por sapo u raportua se nuk është në detyrë, ofertat nga Premier League nuk munguan.

9. Sean Dyche
Vendosi të largohej nga Everton duke besuar se kishte dhënë gjithçka për skuadrën e cila pa Dyche mund të ishte në Championship aktualisht. Sigurisht që duhet vlerësuar edhe Jordan Pickford por nën drejtimin e Dyche mbrojtja e Everton ishte pika më e fortë.

8. Joachim Löw
Gjermani mund të ishte më lart në këtë klasifikim por sukseset e tij më të mëdha janë regjistruar në nivel kombëtaresh krahasuar me ato të klubeve. I papunë prej fundit të “Euro 2021”, Joachim Löw në nivel klubesh ka fituar titullin në sezonin 2001/02 të kampionatit austriak me Tirol Innsbruck dhe më herët Kupën e Gjermanisë në vitin 1997 me Stuttgart.

Ole Gunnar Solskjaer

7. Ole Gunnar Solskjaer
Periudha e tij te Man United ishte e çuditshme megjithëse ish-sulmuesi qëndroi në krye të skuadrës për pothuajse 3 vite. Ai fitoi 54.17% të ndeshjeve dhe arriti në Finalen e UEFA Europa League në vitin 2021. Megjithatë Solskjaer asnjëherë nuk u duk se ishte njeriu i duhur në vendin e duhur.

6. Erik ten Hag
Një tjetër trajner që ndoshta ishte njeriu i duhur por këtë herë në kohën e gabuar në drejtim të Man United. Erik ten Hag fitoi dy trofe, një për çdo sezon por tani i duhet të presë për një skuadër të re. Ajo që arriti te Ajaks në kampionatin holandez, sigurisht që nuk do të mbetet në heshtje, sidomos dy edicionet që e dërgoi skuadrën deri në gjysmëfinalet e Champions League.

5. Edin Terzić
Pas largimit të Paulo Fonsecas nga Milan pati zëra për ish-trajnerin e Dortmund,  Edin Terzic se mund ta pasonte portugezin në San Siro. Edhe nga Premier League ka interes për takticienin gjermano-kroat që udhëhoqi verdhezinjtë në një finale të papritur në Champions League.

Massimiliano Allegri

4. Massimiliano Allegri
Juventus përfundoi aventurën e dytë të Massimiliano Allegrit në klub pas sjelljes së tij Finalen e Kupës së Italisë në vitin 2024. Ai e udhëhoqi skuadrën nga viti 2014 në vitin 2019 duke fituar 5 herë Serie A, 4 herë Kupën dhe luajti dy finale në Champions League. Ndërsa në aventurën e dytë fitoi vetëm Kupën e Italisë.

3. Xavi
Katalanasi nuk ka një kohë të gjatë në trajnim, detyrë të cilën e nisi në Katar te Al-Sadd, në përfundim të karrierës si lojtar. U kthye te Barcelona në nëntor të vitit 2021 ku gjeti një skuadër pa identitet. Puna e tij dha rezultat në sezonin e dytë ku Xavi i udhëhoqi “blaugranat” drejt titullit. Problemet brenda dhe jashtë fushës e ndoqën në sezonin e tretë, në përfundim të të cilit Barcelona e shkarkoi.

2. Jurgen Klopp
Gjermani u largua nga Liverpool dhe futbolli i përditshëm për shkak të humbjeve të energjisë dhe lajmëroi se do të bëjë një vit pushim. Por mesa duket jo plotësisht. Aktualisht është drejtori i futbollit në grupin Red Bull ku përcakton dhe ndjek strategjinë e zhvillimit të lojtarëve të rinj dhe merkatos. Gjermania e kërkon t’i besojë Kombëtaren, por edhe klubet e mëdha nuk mbeten pas për shërbimet e tij.

Zinedine Zidane

1. Zinedine Zidane
Francezi nuk do të harrohet asnjëherë, jo vetëm për atë që bëri brenda fushës, por edhe anash saj. Fitoi dy herë titullin në La Liga dhe 3 sezone radhazi në Champions League në krye të Real Madrid. Pa harruar Superkupat dhe Kupën e Botës për klube. U largua nga “Bernabeu” në vitin 2021 por është thjesht çështje kohe përpara se ta shohim sërish në detyrë. Jo vetëm në klub por edhe në përfaqësuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë