Gazeta Si – Presidenti i shoqatës së trajnerëve në Itali, Renco Ulivieri, ka sulmuar hapur Zhoze Mourinjon: “Të pranosh se ke mbajtur një mikrofon në stol është një veprim që edhe vetëm si hipotezë minon thelbin e gjithë sistemit”, – ka thënë ai, duke iu referuar deklaratave të trajnerit portugez për arbitrat.
“Trajnerët italianë janë në krahun e arbitrave, pa ‘nëse’ dhe pa ‘por’. Edhe pa Mourinjon… Nuk ka vend për të bërë shaka”, – ka shtuar më tej Ulivieri, duke mbajtur qëndrim për atë që ndodhi pas ndeshjes Monca-Roma, kur Mourinjo sulmoi ashpër arbitrin Kifi.

“Deklaratat e Mourinjos janë të rënda, të papranueshme. Të mbash mikrofon në stol për të regjistruar bisedat me arbitrat dhe ta justifikosh me atë që ai e quan mbrojtje, është një veprim që minon gjithë sistemin, një lloj ‘të gjithë kundër të gjithëve’.
Nuk bëhet fjalë për një qëndrim personal kundër. Një muaj më parë AIAC e duartrokiti Mourinjon për gjestin ndaj tifozëve të tij, në mbështetje të Stankoviç, i cili po sulmohej. Ky është imazhi që duam të kultivojë një trajner. Një cilësi që duhet rritur me përgjegjësi”, – tha më tej Ulivieri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




