Nga Gazeta Si- Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e djeshme në Korçë, ku nëna dhe një i mitur humbën jetën si pasojë e asfiksisë nga zjarri që përfshiu banesën e tyre, ndërsa u lëndua dhe vajza e mitur vetëm 6-vjeç.
Merjeme Azitllari 40-vjeçe pikasi tymin e zjarrit dhe kishte mundur t’i nxirrte të vegjlit e saj, Lukën 14-vjeç dhe vajzën 6-vjeçare, ndërsa vetë mbeti e vdekur në derën e kuzhinës.
Sadik Halili shefi i shërbimit zjarrfikës Maliq ka deklaruar se në momentin që kanë mbërritur në vendngjarje nuk kishte zjarr brenda banesës, ndërsa fëmijët ishin jashtë.
Ai ka zbuluar se nënën e kanë gjetur të pajetë në derën e kuzhinës.
“Njoftimin e kemi marrë rreth orës 13.30. Menjëherë kemi arritur në vendin e ngjarjes për 1 minutë pasi distanca është e afërt. Kur kemi mbërritur, zjarr nuk ka pasur brenda në banesë dhe të dy fëmijët edhe djalin edhe vajzën i kemi gjetur përjashta”, thotë Halili, duke shtuar se djali ka qenë i pavetëdijshëm kurse vajza e vetëdijshme.
Ndërkohë, nënën e kanë gjetur të asfiksuar tek dera e kuzhinës.
“Njoftuam ambulancën, ju dhamë ndihmën e parë dhe i dërguam në spitalin e Korçës”.
Halili thotë se ende nuk dihet shkaku i zjarrit ndërsa po punohet në dy versione: brenda në kuzhinë ka qenë soba me dru zjarri e ndezur ndërsa poshtë në dysheme janë gjetur disa fije shkrepëse të ndezura.
Maliqi u trondit nga ngjarja shokuese, ndërsa fqinjët kanë folur për median duke thënë se familja ishte e varfër dhe vetëm kryefamiljari punonte.
Ato thonë edhe një detaj tjetër shumë të rëndë, që të dy fëmijët ishin me spektrin autik.
“Të dy fëmijët ishin autikë. Nëna nuk punonte, vetëm i ati punonte në familje. Ishin në kushte të vështira ekonomike. Nuk di se si ka ndodhur ngjarja”, u shpreh një fqinj.
E mitura vijon të jetë në gjendje të rëndë pasi ka djegie në 42% të trupit.
Mjekët e reanimacionit në QSUT të pediatrisë e kanë intubuar dhe pritet të merret një vendim nëse duhet të dërgohet jashtë vendit për trajtim.
Xhemile Kapari ishte dëshmitarja e parë e ngjarjes tragjike, e cila dha ndihmën e parë për vajzën e mitur.
Ajo tregon se vajzën e gjeti duke qarë në oborr, djali ishte i shtrirë barkas brenda në shtëpi, ndërsa trupi i nënës ndodhej brenda në banesën që ishte mbuluar nga tymi pa shenja jete.
“Unë dola të hidhja plehrat, edhe vajza qante në oborr. Shkoj atje dhe shoh, ajo dukej sikur ishte futur në kazan, e tëra e nxirë. Thërras komshiun lart dhe kur vajtëm, komshiu tha: ‘Kjo është e djegur! Si ka mundësi, është në mes të oborrit’.
Ajo tregon se hapën derën me shkelm dhe panë djalin brenda që ishte i shtrirë barkas, me këmbë dhe krahë hapur.
Thashë ka vdekur. Nuk e dinim që edhe nëna ishte brenda, e gjeti policia dhe zjarrfikësja”, tregon ajo, duke dhënë dhe detaje të rënda.
Ajo thotë se vajzës i binin flokët dhe kishte plagë nga djegiet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



