Kosova

Tragjedia me 10 viktima, arrestohet shoferi i autobusit nga Kosova: Më zuri gjumi

Shoferi i autobusit që shkaktoi tragjedinë në Kroaci ku humbën jetën 10 shqiptarë të Kosovës dhe mbi 40 mbetën të plagosur është arrestuar.

Zëvendësi i Prokurorit Komunal të Shtetit në Kroaci, Slavko Pranjic tha se shoferi i autobusit që u aksidentua mëngjesin e sotëm në Kroaci ka deklaruar se e kishte zënë gjumi për një moment.

Shoferi u arrestua nën dyshimin për drejtimin e automjetit në mënyrë të papërshtatshme. Cilat janë arsyet për këtë, nuk mund të themi tani për tani. Ai deklaroi se e zuri gjumi për një moment, por ne do ta përcaktojmë atë më vonë” tha zyrtari. 

Ministria e Jashtme e Kosovës deklaroi zyrtarisht se nga aksidenti tragjik në Kroaci kanë humbur jetën 10 shqiptarë të Kosovës, 44 kanë marrë ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve, ndërsa 15 janë në gjendje më të rëndë për jetën.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli deklaroi se fatmirësisht mes viktimave nuk ka fëmijë. Ata ishin duke u kthyer nga Gjermania kur autobusi doli nga rruga në Kroaci. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë