Teater

Tragjedia ‘Hekuba’ e Euripidit nga teatri ‘Migjeni’ në Festivalin Ndërballkanik të Dramës Antike në Athinë

Nga Gazeta Si - Shqipëria u përfaqësua nga teatri “Migjeni” i Shkodrës me tragjedinë “Hekuba” të Euripidit në Festivalin Ndërballkanik të Dramës Antike.

Teatri Migjeni shprehet se kjo vepër shënoi sukses në Athinë.

“Shfaqja shënoi sukses në Athinë. Ambasadorja, znj. Luela Hajdaraga mori pjesë në çeljen e edicionit të parë të Festivalit Ndërballkanik të Dramës Antike në Athinë, mbajtur me iniciativë të Prefektit të Qarkut të Atikës, z. Giorgos Patoulis, me qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërballkanik në fushën e teatrit, me fokus në Dramën Antike”, thuhet në faqen e teatrit.

Gjatë kësaj ceremonie, prefekti i Atikës, Patoulis, i dhuroi Ambasadores së Republikës të Shqipërisë, Luela Hajdaragës një çmim për kontributin e saj në promovimin e kulturës dhe artit.

Në ditën e tretë të këtij festivali, Shqipëria u përfaqësua nga teatri “Migjeni” Shkodër, me veprën “Hekuba” të Euripidit, me regji të Enke Fezollari, përkthyer në shqip nga Eleana Zhaku, ku të pranishëm ishin ambasadorja Hajdaraga, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Nina Guga, Udhëheqësi i Zyrës së Interesave të Kosovës në Greqi, Fitim Gllareva, si dhe diplomatë të Ambasadës Shqiptare.

“Enke Fezollari dhe grupi i tij i dhanë mundësinë publikut shqiptar dhe grek të shijonte një shfaqje multikulturore, një teleturgji ballkanike autentike, përmes këndvështrimit njerëzor dhe zakoneve, në veçanti sipas traditës së veriut të Shqipërisë”, shkruhet në faqen e tij në Facebook të teatrit.

Në rolin e Hekubës interpretoi Rita Gjeka. Në këtë shfaqje morën pjesë aktorja e mirënjohur Vefi Redhi, e cila jeton dhe punon në shtetin grek, si edhe aktori i madh, dhe njëkohësisht, drejtor i Teatrit Shqiptar të Shkupit Adem Karaga.

Gjithashtu, interpretuan aktorët Jozef Shiroka, Krist Lleshi, Fritz Selmani, Rajmonda Marku, Merita Smaja, Nikolin Ferketa dhe Aleksandër Prenga. Në të këndoi edhe këngëtarja Rezarta Smaja, e shoqëruar nga muzikanti Bledi Doci.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë