Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë kërkesën për rekurs, ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm që i hapi rrugë rihetimit për tragjedinë e Gërdecit para 13 vjetësh. Mediu kërkon nga Gjykata e Lartë rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Rekursi i Mediut vjen pak ditë pasi Prokuroria e Posaçme regjistroi procedim penal ndaj tij në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, në kuadër të dosjes “Gërdeci”.
Ish-ministri akuzohet për “shpërdorim të detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues.
Në 24 shtator 2021, Gjykata e Posaçme riktheu për hetim në Prokurorinë e Posaçme dosjen e Gërdecit, ku në vendimin e Apelit thuhej se çështja nuk ishte gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hapte rrugë procesit për rihetim.
Avokati i Mediut, Ardian Visha, argumenton se vendimi është antikushtetues, cenon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj.
Hetimet për tragjedinë e 26 të vdekurve dhe qindra të plagosurve dhe një dëmi miliarda lekë, janë kryer në periudhën 2008-2009, asokohe nga Prokuroria e Përgjithshme.
Shpërthimi në Gërdec ndodhi në 15 mars 2008, pak kilometra në Jug të Tiranës, duke lënë të vdekur 26 persona, pjesa më e madhe e të cilëve punonin në ish-fabrikën e demontimit të armëve ushtarake.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.