Bota

Tragjedia ajrore në Uashington, sportisti i patinazhit në akull shpëtoi falë qenit të tij

Gazeta Si – Një mrekulli në tragjedi. Jon Maravilla, i cili do të mbushë 20 vjeç më 5 shkurt dhe që sapo ka fituar medaljen e bronztë në kampionatin amerikan të patinazhit në akull për të rinj, supozohej të ishte në bordin e avionit që u rrëzua në Uashington dhe u fundos në lumin Potomac pas një përplasjeje me një helikopter.

Por nëse ai nuk figuron në bilancin e tmerrshëm të vdekjeve (deri tani janë gjetur 30 trupa, por mund të mos ketë të mbijetuar), merita i takon qenit të tij, për të cilin ai u pengua të hipte në avionin e kompanisë “American Airlines”.

Përpara portës së kontrollit, në fakt, kafsha (femër) konsiderohej shumë e madhe në përmasa për t’u futur në kabinën me pronarin e saj: “Ishte fluturimi ynë i kthimit. Nuk e kuptova pse befas nuk ishte më e mundur të sillja qenin tim me vete, – tha Maravilla për agjencinë e lajmeve “RIA Novosti” – Por unë nuk mund ta lija pas, kështu që vendosëm të ecnim rrugës me makinë”. Një ngjarje e papritur që i shpëtoi jetën.

Ishte një ditë tragjike veçanërisht për botën e patinazhit artistik, duke qenë se në bordin e avionit ishin ish-kampionët rusë të botës, Evgenia Shishkova dhe Vadim Naumov, si dhe të paktën 14 patinatorë amerikanë me trajnerët dhe anëtarët e tyre të familjes, të cilët po ktheheshin nga Kampionati Amerikan në Kansas dhe nga klasa master të organizuar në lidhje me këtë aktivitet.

I pari që foli për ta, ishte vetë Maravilla, i cili ushtron patinazh që në moshën 3-vjeçare, i shtyrë nga dëshira për të imituar vëllain e tij të madh që e ndiqte gjithmonë nga ana tjetër e pistës.

Përveç patinazhit në shkollën e mesme West Bloomfield, pasionet e tij përfshijnë tenisin, fotografinë, video-lojërat, dizajnin dhe gatimin. Dhe qeni sigurisht, gjithmonë pranë tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë