Ka ndodhur

Tragjedi në Tiranë, mbyten dy vëllezër të mitur në liqenin e Prushit

Gazeta Si - Dy vëllezër të moshës 10 dhe 14 vjeç, respektivisht K.T., dhe M.T., janë mbytur në liqenin e Prushit në Tiranë, në Vaqarr të Ri mbrëmjen e të premtes rreth orës 18:05.

Në vendngjarje mbërritën polumbarët e RENEA-s, të cilët pas 2 orë kërkimesh bënë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupave të pajetë të dy të miturve.

Mësohet se kanë qenë një grup prej 6 fëmijësh, të cilët kanë shkuar që të lahen në liqen, duke bërë edhe lojëra mes tyre.

Dy fëmijët e familjes Taku nga Vaqarri, po luanin një lojë me litar, të cilin e kishin lidhur në një pishë buzë liqenit dhe më pas hidheshin me të në ujë.

Mësohet se më i vogli nga vëllezërit, ka rrezikuar të mbytet dhe në ndihmë ka shkuar vëllai i madh, por fatkeqësisht asnjë prej tyre nuk ka mundur të dalë i gjallë nga uji.

Pasi fëmijët e tjerë vunë re mungesën e shokëve të tyre, njoftuan familjarët, të cilët dhanë menjëherë alarmin te autoritetet përkatëse.

Fillimisht u gjet vetëm njëri nga trupat, por pak minuta më vonë, u bë e mundur edhe gjetja e trupit tjetër.

Liqeni është më shumë se tre metra i thellë, por nuk ka pasur më parë asnjë ngjarje të kësaj natyre. Çdo ditë fëmijët e zonës shkojnë atje për t’u larë, kryesisht pas ngritjes së temperaturave në verë.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë