Drejtësia

Trafikuan 25 persona drejt SHBA për 40-45 mijë dollarë, SPAK çon në gjyq 5 anëtarë të një grupi kriminal

Nga Gazeta Si- SPAK ka dërguar për gjykim 5 persona  për trafik të paligjshëm drejt SHBA-së.

Nga të dhënat e hetimeve paraprake ka rezultuar se grupi kriminal, i drejtuar nga Luc Melaj, ka organizuar kalimin e paligjshëm përtej kufirit shqiptar të paktën 25 personave, të gjithë shqiptarë, të cilët kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e SHBA-së.

“Kjo veprimtari kriminale, zhvilluar nga mesi i vitit 2022 deri në muajin korrik të vitit 2024, është kryer nga më shumë se tre persona dhe ka qenë e paramenduar, e mirëorganizuar dhe me ndarje rolesh konkrete”, shkruhet në njoftimin e SPAK.

Sipas SPAK, takimet janë zhvilluar në Shqipëri, me personat që kanë kërkuar të udhëtojnë jashtë apo me familjarë të tyre, ku sqarohej itinerari i udhëtimit dhe pagesat që duhet të kryheshin, të cilat variojnë nga 40.000-45.000 dollarë për person.

Kërkuesit janë kryesisht nga Malësia e Madhe, Shkodra, Lezha, Tropoja, me lidhje kryesisht familjare me personat që jetojnë në SHBA.

Grupi kryente sigurimin e dokumentave të identifikimit të falsifikuara, kryesisht franceze, të cilat iu jepeshin personave që udhëtonin, pasi ata arrinin në Spanjë dhe mbarëvajtjen e udhëtimit të tyre në rrugë ajrore deri në Meksikë.

Më pas bëhej pritja dhe akomodimi i tyre në Meksikë dhe transportoheshin në rrugë tokësore deri në Amerikë.

Në këtë veprimtari kriminale është përfshirë edhe Emanuel Melaj, i cili ka qenë në dijeni të këtij aktiviteti dhe ka dhënë ndihmën e tij për rezervimin e biletave, dërgimin në adresat përkatëse si edhe për transferimin e parave.

Nga provat e mbledhura janë dokumentuar gjithashtu raste ku Luc Melaj e Gëzim Camaj kanë transportuar në mënyrë të paligjshme shqiptarë duke mos e dokumentuar kalimin e tyre gjate hyrje-daljeve në Malin e Zi.

Gjithashtu përmes ndihmës së Tonin Melaj dhe Bashkim Çokaj, punonjës policie, të punësuar pranë pikave të kalimit kufitar të Hanit të Hotit, është bërë mosregjistrimi në sisteme përkatëse për personat që kanë pasur probleme të qëndrimit në  vendet e BE-së, si dhe për të tjerë që janë azilkërkues në Kanada, Mbretëri e Bashkuar, SHBA, me motivacione të  ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë