Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka dënuar me 30 vite burg 6 të akuzuarit që vidhnin automjete në Kosovë dhe i tregtonin në Shqipëri.
Mes personave të përfshirë, janë edhe 3 ish-punonjës të Policisë së Shtetit. Për drejtuesin e grupit, Selaudin Shahini, GJKKO dha 7 vite e 4 muaj.
Sipas hetimeve, Shahini duke shfrytëzuar lidhjet familjare dhe shoqërore në Kosovë, kishte krijuar një rrjet personash që trafikonin mjete në vendin tonë.
Për ish-punonjësen e policisë, Vojsava Doda, gjykata dha 5.4 vite burg, ndërsa për ish-kolegun e saj, Endi Ahmetaj, gjykata ndryshoi akuzën nga trafikim i mjeteve në shpërdorim detyre dhe e dënoi me 3 vite e 4 muaj burg.
Ndërsa për efektivin tjetër, Ftari Braha, gjykata e dënoi atë me 6 mua burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Hetimet nisën shkurtin e kaluar, ndërsa Vojsava Doda, e cila mbante detyrën e punonjëses së forcave operacionale në policinë e Tiranës, prezantohej si agjente vëzhgimi në momentin që paraqitej me një mjet të vjedhur në pikën e kalimit kufitar.
Me argumentin se ishte në operacion dhe në kushte urgjence, punonjësit e pikës kufitare nuk duhet të regjistronin hyrje daljet e saj.
Ata u zbuluan në 24 shkurt 2022, pasi një qytetar kosovar kishte parë automjetin e tij në Fushë Krujë. Pas denoncimit në polici nga personi në fjalë, efektivët ranë në gjurmët e të dyshuarve, duke arrestuar fillimisht Vojsava Dodën, punonjëse e forcave të posaçme operacionale.
Gjatë verifikimit, doli se targat nuk përkonin me automjetin, por ato i përkisnin një makine të marrë me qira nga Selaudin Shahini.
Ai kishte kontakte me shtetas nga Kosova që merreshin me vjedhjen e makinave. Ndërsa efektivi tjetër, Endi Ahmetaj u prangos, pasi njëri nga të arrestuarit tregoi se në një tjetër rast i kishte ndihmuar ky i fundit që të trafikonin automjete.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




