Drejtësia

Trafikonin emigrantë në Angli, SHBA e Kanada, kalon për gjykim grupi me 32 anëtarë

Gazeta Si – GJKKO ka kaluar për gjykim dosjen për 32 të pandehur, të cilët akuzohen për trafikim emigrantësh në Angli, SHBA e Kanada, falsifikim dokumentesh dhe grup të strukturuar kriminal.

Përmes një njoftimi, GJKKO ka bërë të ditur se çështja penale për të cilën akuzohen anëtarët e grupit është ngritur në vitin 2022.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Grupi strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprës penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre”.

Sipas SPAK, këta persona akuzohen se gjatë viteve 2022-2024 kanë mundësuar kalimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë në rrugë tokësore, ajrore dhe detare drejt Mbretërisë së Bashkuar, SHBA dhe Kanadasë.

Pasi siguronin dokumente të falsifikuara, anëtarët e grupeve gjenin ndërmjetësit për t’i dërguar shqiptarët drejt këtyre vendeve, kundrejt një pagese të caktuar. Transportimin e dokumenteve dhe personave e kryenin përmes agjencive “Domi Travel” dhe “Boris Travel”, të cilët bashkëpunonin me njëri-tjetrin.

Po ashtu, në njoftim bëhet e ditur se emrat e të akuzuarve nga SPAK janë Njazi Ademaj, Ylli Brahimaj, Rrezart Domi, Osman Luca, Artur Mici, Arsen Caka, Jugert Gashi, Emiljan Marashi, Robert Gjika, Roland Islamaj, Xhelal Krasniqi, Fitim Rama, Gridi Elezi, Maksim Domi, Dritan Cena, Redi Salaj, Behar Nuhiallari, Behar Rexha, Deila Qama, Arnold Shahu, Ylli Çaushaj, Artid Shtylla, Murat Gjuniku, Bardhyl Imeri, Bajram Xhaja, Besnik Lumaj, Altin Neli, Fatmir Stankova, Arben Rushiti, Leonardo Lama, Xhelil Alla, Perlat Canaj dhe Amarildo Luca”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë