Gazeta Si – Dy persona të shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për trafikim të lëndëve narkotike dhe tentativë vrasje, janë ekstraduar këtë të premte nga Franca dhe Greqia.
Paul (Agustin) Deda, ish-truproja i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i shpallur në kërkim për trafik të 1 ton kanabis drejt Italisë dhe për pastrim parash, është ekstraduar nga Franca. 50 vjeçari do të gjykohet në GJKKO për pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Ndërsa nga Greqia u ekstradua Viktor Daci, i shpallur në kërkim pasi në 2015-ën tentoi të vriste një person në Mat. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “vrasja me paramendim mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Deda ka qenë ish-truproja i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai rezulton i dënuar në mungesë nga Gjykata e Posaçme me 8 vite heqje lirie për trafik droge dhe grup kriminal.
Ai u mor i pandehur bashkë me Hekuran Markun, po ashtu, ish-shoqërues i Tahirit dhe i dënuar në kuadër të dosjes së njohur “Shpirti”.
Deda dhe Marku u akuzuan si të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kanabisit të drejtuar nga Ilirjan Duçellari. Ky grup akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike në sasi të mëdha në vitet 2017-2018.
Sipas SPAK, 2 truprojat kanë bashkëpunuar me italianë dhe një shqiptar për të trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.
Deda kërkoi azil politik në Francë, por siç duket është refuzuar dhe tashmë pritet të ekstradohet në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.