Trashëgimi

Trafikimi i pasurisë kulturore, ratifikohet memorandumi i bashkëpunimit Shqipëri-SHBA

Shqipëria ka ratifikuar një memorandum bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që do t’i shërbejë vendit tonë në luftën kundër trafikimit të pasurisë kulturore.

Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Kulturës, Elva Margariti, pas mbledhjes së sotme të qeverisë, ku u shpreh se është ratifikuar memorandumi me SHBA për vendosjen e kufizimeve të importit për kategoritë e materialeve arkeologjike dhe etnografike shqiptare.

Sipas saj, puna për hartimin e memorandumit ka nisur që në 2018-ën.

“Ministria e Kulturës ka bashkëpunuar me Departamentin Amerikan të Shtetit për hartimin e këtij memorandumi, i cili sjell në vëmendje nevojën e Shqipërisë për t’u pozicionuar në luftën e trafikimit të pasurive kulturore”, tha ministrja.

Sipas ministres, pjesëmarrja në konventën e UNESCO-s të vitit 1970, një sërë aktesh nënligjore dhe udhëzimesh, si dhe ky memorandum, e pozicionojnë Shqipërinë ndër vendet aktive në luftën e trafikimit të pasurive kulturore.

Margariti u shpreh se tashmë Shqipëria ka një database me listën e pasurive kulturore të vjedhura, ndërsa do të krijohet edhe një database tjetër ku do të përfshihen koleksionistët dhe tregtarët e veprave të artit.

Për këtë ajo tha se do të bashkëpunohet si me gjendjen civile, edhe me Policinë e Shtetit.

Margariti deklaroi se tashmë Shqipëria nuk është më në listat e zeza të trafikimit të pasurisë.

Në zbatim të memorandumit, ministrja bëri të ditur se do të ngrihet një grup ekspertësh nga Ministria e Kulturës dhe Policia e Shtetit që do të bashkëpunojnë me Departamentin Amerikan të Shtetit në kuadër të bashkëpunimit në luftën kundër trafikimit të pasurisë kulturore.

“Ky memorandum do të çojë luftën kundër trafikimit të pasurisë kulturore në një stad tjetër dhe do të kompletojë kuadrin ligjor”, tha Margariti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë