Gazeta Si – SPAK ka dërguar për gjykim dosjen ndaj Maksim Ndocit dhe Juljan Kollçakut, të akuzuar për trafikim të narkotikëve në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, nga Amerika Latine në Itali.
Dy të pandehurit akuzohen për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.
Sipas SPAK, për Ndocin, provohet përfshirja në rikuperimin e mbi 140 kg kokainë neto, të sekuestruar më 2.3.2022 në portin e Livornos, si dhe roli i tij i rëndësishëm në rekuperimin e një sasie prej rreth 120 kg kokainë bruto, të ardhur nga Ekuadori më 11.1.2022.
Ndërsa për të pandehurin Kollçaku, provohet përfshirja në trafikimin e mbi 489 kg kokainë bruto, të ardhur në portin e Livornos më 14.3.2022, e sekuestruar më 5.4.2022 në Frattamaggiore (Napoli), si dhe në importimin e një sasie prej 32 kg kokainë, nga e cila u sekuestruan mbi 4 kg neto më 30.6.2022 në Ostia.
Hetimi nisi mbështetur në kërkesën e autoriteteve gjyqësore italiane. Sipas kërkesës, kjo prokurori po hetonte për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë, aktivitet që drejtohej nga një grup kriminal, ku bënin pjesë edhe shtetas shqiptarë, të cilët vepronin në Shqipëri (Durrës, Tiranë), Amerikën Latine (Ekuador dhe Panama), Itali (provinca e Pizës, Piemontes dhe Trevizos).
Hetimi në Itali nisi pas një kontrolli të kryer nga Guardia di Finanza i Livornos, në periudhën 7-9 mars 2021, gjatë të cilës u identifikuan shtetas me origjinë shqiptarë, të kapur në flagrancë gjatë operacioneve për nxjerrjen e një ngarkese kokaine të ardhur nga Amerika Latine, në portin e afërt të Labronikos (Livorno).
Përmes veprimeve të fshehta me mjete teknike (përgjimeve telefonike dhe ambientale dhe gjurmimit gjeografik GPS), si dhe hetimeve tradicionale (vëzhgimeve, kontrolleve, ndjekjes, regjistrimeve video, monitorimit të mjeteve të transportit dhe shkëmbimeve të informacioneve) – u bë e mundur identifikimi i veprimtarisë kriminale të grupit dhe personave të përfshirë.
Sipas SPAK, anëtarë të grupit janë shtetasit shqiptarë dhe italianë: A. T., R. T., A. V., K. V., M. N., L. K., A. Zh., I. P., E. D., V. D. C., M. S., F. C.
Ata kishin organizuar një strukturë kriminale duke marrë ngarkesa të konsiderueshme kokaine në portin e Livornos, të cilat vinin nga porti i Guayaquilit në Ekuador.
Ndërsa sasia blihej në Kolumbi dhe ishte destinuar për anëtarë të grupeve të shumta kriminale, me anëtarë, kryesisht shqiptarë, rumunë dhe italianë.
Episodet e sekuestrimit të lëndës narkotike
19.7.2021, në magazinën Interpair në Guasticce (LI), – rreth 28 kg kokainë neto (pesha bruto 33.8 kg);
24.8.2021, në portin e Livornos (LI), – mbi 70 kg kokainë neto (pesha bruto mbi 84 kg);
22.11.2021, në kufirin tokësor të Gaggiolo (VA) – rreth 11.7 kg kokainë neto (pesha bruto mbi 12 kg). Këtu u krye edhe arrestimi i korrierit të drogës Alberto Brandi, (i cili u ndoq penalisht veçmas);
2.3.2022, mbi 140 kg kokainë (pesha bruto mbi 158.5kg) në magazinën Reefer në portin e Livornos (LI).
5.4.2022, në Frattamaggiore (NA) – mbi 400 kg kokainë (pesha bruto mbi 489kg).
16.4.2022, në Guidonia (Romë) – mbi 84.5 kg kokainë neto (me një peshë bruto prej 1,110.5 kg);
30.6.2022, në Ostia – mbi 4 kg kokainë neto, pjesë e një dërgese prej 32 kg.
9.3.2022, në Guabo, një qytet pranë portit të Guayaquilit në Ekuador – 150 kg kokainë neto (mbi 169 kg bruto).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




