Ka ndodhur

Trafik klandestinësh me gomone drejt Italisë, në pranga 5 roje bregdetare

Pesë roje bregdetare janë arrestuar në Vlorë me akuzën për “shpërdorim detyre”, pasi ndihmuan të arratisej një prej skafistëve që po transportonte klandestinë sirianë drejt Italisë në janar të këtij viti.

Dyshohet se gjatë evakuimit të personave në bordin e mjetit lundrues, ata kanë shpërdoruar detyrën, duke mos siguruar shoqërimin e të gjithë personave të evakuuar gjatë operacionit policor.

Për të pestë, Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”: B.B., 38 vjeç, banues në Vlorë, R.Ç., 54 vjeç, banues në Vlorë, B.M., 26 vjeç, banues në Vlorë, S.B., 23 vjeç, banues në Vlorë, A.A., 34 vjeç, banues në Vlorë. Më herët për këtë ngjarje, po e njëjta gjykatë ka dhënë masën “arrest me burg” për shtetasin Emiljano Likaj.

Ai u vu në pranga 12 ditë pas tentativës për trafik të klandestinëve në grykëderdhjen e Vjosës, ngjarje e cila mund të ishte shndërruar në një tragjedi.

Likaj është një prej 3 skafistëve të përfshirë në këtë ngjarje, ndërsa 2 të tjerët janë në kërkim.

Më parë për këtë ngjarje janë arrestuar Qazim Ismailaj dhe Fatos Dushe, përkatësisht pronari i një hoteli dhe pronari i një banese, pasi kishin strehuar klandestinët para se ata të niseshin me gomone drejt Italisë.

Arrestimi i Fatos Dushës në Tiranë, erdhi pasi në një prej telefonave të sirianëve u gjet si vendndodhje shtëpia e Fatos Dushës dhe kjo çoi në arrestimin e tij.

Në janar të këtij, rojet bregdetare dhe policia e Vlorës arritën të shpëtojnë 55 klandestinë nga Lindja e Mesme, të cilët kishin mbetur në det për shkak të kushteve të këqija të motit, me qëllimin për të shkuar me gomone drejt Italisë.

Një telefonatë SOS “po mbytemi” nga një numër shqiptar ka çuar rojën bregdetarë gjatë natës në grykëderdhjen e lumit Vjosë, pranë fshatit Poro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë