Drejtësia

Trafik droge nga Shqipëria dhe Spanja drejt Gjermanisë, kreu i grupit me 12 anëtarë kapet në afërsi të SPAK

Gazeta Si - SPAK në bashkëpunim me autoritetet gjermane kanë hetuar një grup kriminal, në përbërje të të cilit kishte disa shtetas shqiptarë, të cilët, gjatë viteve 2020-2021, kanë importuar në Gjermani, në disa episode, sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit marijuanë.

Sasia e lëndës narkotike sigurohej kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja, e cila pasi futej në territorin gjerman, është tregëtuar në rajonin Wolfsburg-ut, Magdeburg-ut, si dhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian.

'Koka’ e grupit, që sipas SPAK ishte drejtues dhe financues i këtij aktiviteti kriminal, u arrestua pikërisht në afërsi të godinës së Prokurorisë së Posaçme. Ai është Islam Sefa dhe u prangos një ditë më parë në ambientet e një lokali nga efektivët e Policisë së Shtetit.

SPAK bën me dije se, “për interesa të këtij procedimi penal janë administruar aktet nga autoritetet gjermane dhe franceze të drejtësisë, ku nga këqyrja dhe analizimi i të dhënave të administruara është bërë e mundur identifikimi i 12 (dymbëdhjetë) personave nga atë cilët 8 janë shqiptarë dhe 4 (katër) shtetas gjermanë të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve.

Gjatë hetimeve janë evidentuar 9 (nëntë) episode dhe është provuar se sasia e lëndës narkotike të trafikuar është 912 (nëntëqindë e dymbëdhjetë) kg marijuanë, kurse vlera e lëndës narkotike të trafikuar kap vlerën prej 3.374.400 (tremilionë e treqindë e shtatëdhjetë mijë e katërqind) euro.

Për interesa të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masës të sigurimit personal për personin në hetim, dhe gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës, caktimin e masës të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale”.

Gjithashtu SPAK bën me dije se ka kërkuar në GJKKO edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe janë ekzekutuar 4 (katër) vendimet e gjykatës dhe janë realizuar kontrolle (banesash, biznesesh, automjetesh, dhe personash)

Pas kontrolleve të ushtruara në territorin shqiptar, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

3.070 (tremijë e shtatëdhjetë) euro;
300 (treqind) dollarë;
2 (dy) laptopë;
4 celularë;
1 DVR + Kamer;
Bizhuteri të ndryshme;
1 (një) orë e markës Rolex
4 çanta te markave luksoze;
3 çelësa automjeti;
Një automjet luksoz tip BMË X5;
Pas kontrolleve të ushtruara në territorin gjerman, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

1(një) automjet i llojit Mercedes i tipit Citan;
3.095 (tremijë e nëntëdhjetë e pesë) euro;
2 aparate celularë;
60 kg marijuanë e ndarë në pako me mbishkrimin “Kruja”;


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë