Ka shkuar në 4 numri i personave të arrestuar në Pogradec, si të përfshirë në një grup të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Hudënishti”, është bërë i mundur edhe sekuestrimi i 38 kilogramëve të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, sasi e destinuar për t’u trafikuar jashtë vendit.
Këtë të mërkurë janë vënë në pranga në Pogradec, Orestis Spirollari dhe Kleanth Dokollari.
Në liqenin e Pogradecit, u konstatua një mjet lundrues tip skaf, me të cilin po të ndaluarit trafikonin drejt Maqedonisë së Veriut një sasi prej 38 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me skafin, një gomone, një automjet tip “Benz”, si edhe sende të tjera që kanë ndihmuar për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni, më herët janë arrestuar me 23 kg kanabis 2 pjesëtarë të tjerë të grupit. Ndërkohë që katër të tjerë janë shpallur në kërkim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




